Bimët mjekësore. Receta praktike, çajëra dhe përgatitma për sëmundje të ndryshme

Standard

Bimet mjeksore, A-H

Piku i naftës po sjell shtrenjtimin e ilaceve sintetike, sepse në prodhimin dhe transportin e këtyre ilaceve nevojitet nafta si lëndë e parë dhe si karburant. Në shumë sëmundje  bimët mjekësore mund të përdoren në vend të ilaceve sintetike. Më poshtë vijon një informacion i përgjithshëm mbi bimët mjekësore në rend afalbetik nga A-ja tek H-ja.

Shenim: ky artikull ka vetem qellim informimi. Per cdo trajtim ose diagnostikim shendetesor drejtohuni mjekut.

1. Aguliçja (llojet Primula veris, Primula vulgaris, familja Primulaceae)

 

Primula Veris (sinonim Primula officinalis)

Primula Vulgaris

Rrënjët dhe lulet e thara të aguliçes (emri tjetër zgorofeta) kanë veti shëruese. Aguliçja është bimë barishtore shumëvjeçare, e zakonshme në livadhe, pyje, kullota subalpine dhe alpine.

Droga përdoret si nxitës i nxjerrjes së gëlbazës, kundër të ftohurit, bronkiteve akute dhe kronike si dhe enfizemës së mushkërive.

Një lugë gjelle me drogë lule hidhet në një enë me një gotë ujë të sapozier; mbulohet me kapak, lihet 15-30 minuta; pastaj përmbajtja kullohet dhe pihet e ngrohtë; merren 2-3 doza të tilla në ditë, kryesisht si mjet që lëngëzon dhe largon sekrecionet e bronkeve në bronkite e pneumoni, si mjet qetësues në pagjumësi, në shqetësime nervore, në dhembje koke, në të marrët e mendve; në çrregullime të traktit tretës; në sëmundje të veshkave dhe të fshikëzës urinare. Për të njëjtat shqetësime përdoret edhe droga rrënjë e cila përgatitet si vijon:

Një lugë gjelle me drogë rrënje të grimcuara zihet për 10 minuta në 1 gotë ujë. Kullohet. Pihen 3-4 lugë gjelle në ditë.

Efekti i drogës lule është më i dobët se i rrënjës.

Gjethet e primula veris-it në kuzhinën spanjolle përdoren në sallata. Në kuzhinën angleze lulet e bimës përdoren për aromatizimin e verërave, të uthullave. Përdorimet e primula vulgaris-it janë të ngjashme vecse lulet e kësaj të fundit përdoren dhe për ngjyrim në ëmbëlsira (sipas http://en.wikipedia.org/wiki/Primula_veris).

2.      Akja (Helichrysum arenarium Moench, familja Compositae)

 

Droga përbëhet nga lulesat kaptina të thara të akjes. Akja rritet në vende të thata dhe të zbuluara të cilat rrihen nga dielli (Përmet, Këlcyrë, Gjirokastër, Çajup etj.). Bima është rreth 40 cm të gjatë, lulëzon në qershor-shtator.

Lulet e akes kanë veti bakteriostatike, të nxisin urinimin, prodhimin e tëmthit, veti spazmolitike etj.. Ato përdoren për të tretur gurët e fshikëzës së tëmthit; për të nxitur punën e tëmthit; në sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, në verdhëz etj. Droga e kombinuar edhe me bishtamithin e me pelin bëhet më e efektshme për prodhimin e tëmthit. Përdoret dhe kundër parazitëve të zorrëve.

Një lugë kafeje me drogë hidhet në një gotë ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet në qetësi 15 minuta. Përmbajtja kullohet. Pihen 1-3 doza të tilla në ditë para buke për 10 ditë rradhazi.

Ruhet në vende të thata, deri në 18 muaj.

Bima e tharë shpesh përdoret dhe për qëllime dekorative.

3. Anasoni (Pimpinella anisum, familja Umbelliferae)

Droga përbëhet prej fryteve të thara të anasonit , i cili është bimë njëvjeçare.

Anasoni përdoret kundër ngërçve të muskujve të lëmuar (të stomakut, të zorrëve, mitrës etj.); për nxitjen e prodhimit të lëngjeve nga të gjitha gjendrat, përfshi edhe ato të qumështit; për largimin e gazeve nga zorrët (karminative); kundër morrave; .për pastrimin e gëlbazave nga rrugët e frymëmarrjes. Rekomandohet sidomos tek fëmijët.

Katër lugë kafeje me fryte anasoni të copëtuara hidhen në një filxhan çaji me ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet 15-20 minuta. Përmbajtja kullohet dhe lëngu pihet në 3 doza gjatë ditës. Frytet e anasonit mund të përdoren edhe në formë pluhuri, duke marrë 3 herë në ditë nga 1 gr drogë.

Anasoni përdoret dhe si erëz në kuzhinën europiane për aromatizimin e ëmbëlsirave, pijeve (të uzos greke, sambukas italiane, rakisë turke psh). Anetoli, përbërësi aromatik më i fuqishëm i saj ndodhet dhe në një erëz tjetër (illicium verum), e cila prodhohet më lirë prandaj dhe gradualisht e ka zëvendësuar përdorimin e anasonit në kuzhinën europiane (sipas http://en.wikipedia.org/wiki/Pimpinella_anisum#cite_note-Muller-7).

4. Angjinarja (Cynara scolimus, familja Compositae)

Droga përbëhet nga gjethet e thara të angjinares , e cila është bimë barishtore shumëvjeçare, me lule tubike blu.

Droga nxit punën e tëmthit; përdoret kundër pezmatimit të rrugëve të tëmthit, nxit urinimin; në arterosklerozë, ku kombinohet edhe me vitaminë P; në disa forma të diabetit, në albuminuritë kronike etj.:

Në fillim të kurës përdoret 1 lugë gjelle (më vonë 2 lugë gjelle) me drogë të grimcuar, e cila zihet 20 deri 30 minuta në një enë që përmban një gotë me ujë. Përmbajtja kullohet, merren 3 doza të tilla në ditë. Kura zgjat rreth 1 muaj, pastaj ndërpritet për 1 muaj dhe rifillon në rast nevoje.

Angjinarja përdoret dhe si perime në kuzhinën europiane, kurse kuzhina shqiptare e injoron.

5. Arra (Juglans regia, familja Juglandacae)

Droga përbëhet nga gjethet e thara të arrës . Ajo ndeshet edhe në gjendje të egër, sidomos në luginat e Alpeve, në Martanesh etj.

Gjethet e arrës janë rrudhëse, hipoglicemizuese, antileukoreike etj. Shton sekretimin e lëngut të stomakut; përmirëson oreksin, rrudh mukozat e lëkurës, ngushton arteriet etj. Përdoret në dispepsi; acarime të aparatit tretës, në hemorragji etj. Meqënëse ndihmon në mjekimin e indeve të dëmtuara, disa autorë këshillojnë kombinimin e terapisë antibiotike specifike (të turbekulozit) me preparatet e gjetheve të arrës. Përdoret në formë lavazhi kundër morthit, acarimeve të rrugëve gjenitale, ekzemës, pucrrave etj. Si gargarë përdoret kundër acarimeve të fytit.

Një lugë kafeje me drogë të grimcuar hidhet në një gjysëm gote ujë të sapozier, lihet 15 minuta, pastaj kullohet dhe pihet gjatë ditës. Përdoren 3 doza të tilla në ditë. Në plagë me proçese qelbëzimi, në sëmundje të lëkurës këshillohet aplikimi i banjave me çaj që fitohet duke zier 8-10 gr gjethe në 100 gr ujë. Banjat këshillohen edhe për të pakësuar djersitjen e këmbëve. Arrës i përdoren edhe lëvozhgat jeshile të thara, të cilat përmbajnë tanine, juglon etj., në sajë të vetive antiseptike dhe keratenizuese ato shfrytëzohen në dermatoza të ndryshme. Çaji i përgatitur duke zier 20 gr lëvozhga në 1 l ujë dhe i pirë në dozën 2-3 gota në ditë pas ngrënjes përdoret në anemi.

Ekstrakti i mishit të frutit të papjekur të arrës ka veti insekticide (sipas http://en.wikipedia.org/wiki/Juglans_regia#cite_note-12).

6. Arrsi (Teucrium chamaedrys, familja labiatae),

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar, e tharë e arrsit, i cili është bimë barishtore shumëvjeçare, me gjelbërim të përhershëm, e zakonshme. Lulëzon në maj-korrik.

Droga shton oreksin në çrregullimet e stomakut, sekretimin e urinës, nxit prodhimin e tëmthi në mëlçi dhe shëron plagë.

2-3 lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhen në 1 litër ujë të sapovaluar; ena mbulohet me kapak, lihet të qëndrojë ½ orë, pastaj lëngu kullohet dhe pihet 3-4 herë në ditë nga 1 filxhan kafeje, para buke. Ruhet në vende të thata deri në 2 vjet.

7. Bargjaku (Lythrum salicaria, familja Lythraceae),

Droga përbëhet prej majash të lulëzuara, të thara të bargjakut  i cili është bimë e zakonshme tek ne në zonat fushore buzë vijave me ujë. Lulëzon qershor-tetor.

Droga përdoret në diarre që shoqërohen me humbje të tonusit të zorrëve; si qetësuese; kundër hemorragjisë; në dizanterinë bacilare. Ka veti të lehta antibiotike prandaj përdoret dhe në gastroenterit, në tifo dhe në dizenteri.

30-40 gr drogë e grimcuar hidhen në 1 litër ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet për 15 minuta, pastaj çaji kullohet nëpërmjet një nape. Pihen 300-500 gr çaj në ditë.

8. Bar majasëlli (Teucri polium L, familja Labiatae)

Droga nxirret nga pjesa mbitokësore e lulëzuar e barit të majasëllit , i cili rritet nëpër toka të thata, të zakonshme në vendin tonë. Lulëzon në maj-shtator.

Bari i majasëllit përdoret në mjekimin e majasëllit dhe të kolitit.

Merren rreth 3 tufa (ose 45 gr) bar majasëlli, zihen në 1 kg ujë për 1.5 orë, lëngu kullohet dhe prej tij pihen 3 filxhana në ditë; çaji pihet rreth 7-20 ditë për majasëllin dhe rreth 20-30 ditë për kolitin. Ruhet në vende të thata deri në 2 vjet.

9. Bari i shpretkës (Verbena officinalis, familja Verbenaceae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar, e tharë e barit të shpretkës (emra të tjerë: sporisi mjekësor, përvasheni, latinisht Verbena officinalis, familja Verbenaceae), i cili është bimë e zakonshme në vende barishtore, djerishte e buzë kanaleve të zonave të ulëta. Lulëzon nga pranvera në vjeshtë.

Droga është pak helmuese. Përdoret si mjet fuqizues; si ekspektorant; kundër gurëve të mëlçisë së zezë e të veshkave, kundër reumatizmit, shiatikut, artritit, nevralgjisë dhe zmadhimit të shpretkës.

3-4 lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhen në gjysëm litri ujë të zier. Ena mbulohet me kapak, lihet gjysëm ore, pastaj lëngu kullohet. Pihen 3 filxhanë kafeje në ditë. Ky çaj mund të përdoret për gargarë në mahisjet e gojës, të bajameve si dhe për shpëlarjen e plagëve.

Kundër zmadhimit të shpretkës dhe dhembjeve nga reumatizmi përgatitet në formë llapaje si vijon: në një enë hidhet një grusht me bar të freskët të grimcuar në formë qulli. Shtohet pak uthull dhe përmbajtja përzihet duke e ngrohur lehtë deri sa uthulla të avullohet. Masa që ngelet mbështillet në një copë lecke dhe vihet e ngrohtë në vendin e dhembjes.

Ruajtja: Në vende të thata droga e ruan veprimin për 2 vjet.

10. Bar veshi (Sempervivum tectorum, familja Crassulaceae)

Barit të veshit i përdoren gjethet e freskëta.

Gjethet e barit të veshit përdoren kundër pickimit të insekteve; për mjekimin e plagëve të lëkurës. Në formë çaji përdoret duke pikuar disa pika në sy, në acarimet e kapakëve të syrit nga brenda ose në vesh, në dhembjet dhe acarimet e veshit.

Çaji përgatitet me gjethe të freskëta, të cilat shtypen dhe zihen në një gotë me ujë për 30 minuta; lëngu kullohet dhe pasi ftohet përdoret duke pikuar 2-3 pika në veshin e sëmurë.

11. Bërshëllëza (Convolvulus sepium, familja Convolvulaseae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar, e tharë e bërshëllizës ose gështallit. Lulëzon maj-vjeshtë.

Bari i bërshëllizës është laksativ i fortë e kolagog dhe duhet përdorur me kujdes.

Një lugë çaji me drogë të grimcuar hidhet në 1 filxhan çaji me ujë të sapozier, përmbajtja lihet për 15 minuta, pastaj lëngu kullohet dhe pihet.

12. Bishtamithi(Achillea millefolium, familja Compositae)

Droga nxirret nga pjesa mbitokësore e tharë e bishtamithit (emra të tjerë janë: njëmijëgjethësi, barnozella, bar pezmi) , i cili është bimë e zakonshme në livadhe dhe zona malore. Lulëzon maj-korrik.

Droga përdoret si spazmolitik, veçanërisht për të mitrën, ngërçet (dhembjet, spazmat) e stomakut (me origjinë nervore) të grave, në mjekimin e majasëllit, si rregullues dhe lehtësues i menstruacioneve, kundra heqjes së barkut, si antiinflamator në acarimet e fytit, gojës, në djegje etj; në ndërprerjen e rrjedhjes së gjakut, si psh., në menstruacione të mëdha, në hemorragjinë e mushkërive, të veshkave, si dhe për mjekimin e anemive sekondare të ndryshme; kundër kollës. Përdorimi për një kohë të gjatë i drogës jep pështjellim, turbullim dhe dhembje koke.

Një lugë supe me drogë të grimcuar hidhet në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë, ena mbulohet me kapak dhe përmbajtja zihet për 5 minuta, pastaj çaji kullohet dhe pihet i paëmbëlsuar, gjysëm ore para buke; merren dy doza të tilla në ditë. Për përdorim të jashtëm, në formë banjash për mjekimin e plagëve të qelbëzuara, të sëmundjeve të lëkurës, mishrave të dhëmbëve etj., përdoret çaji që përgatitet si më sipër, por duke përdorur 2 lugë gjelle me drogë për një gjysëm gote ujë. Për mjekimin e ulçerave varikoze, të majasëllit, morthit etj., përdoret lëngu i shtrydhur i bimës së freskët.

Bishtamithi është përdorur në Europë dhe në prodhimin e birrës, në vend të sumullbarit. Birra e bishtamithit mendohej se kishte veti afrodiziake.

13. Bliri (Tilia cordata Mill., Tilia platyphyllos Scop., dhe Tilia argentea Desf., familja Tiliaceae)

Droga e luleblirit përbëhet nga lulesa të thata të shoqëruara me braktene të blirëve të cilët janë drunj deri në 30 m të lartë, të kodrave dhe maleve.

Lulet e blirit përdoren në sëmundje të shkaktuara nga të ftohtët dhe që shoqërohen me temperaturë (rrufë, kollë, gëlbazë etj.) sepse shkaktojnë djersitje; në sëmundjet e fshikëzës urinare dhe të veshkave; për të përmirësuar çrregullimet e stomakut dhe për të lehtësuar dhembjet; lehtësojnë gjumin.

Një lugë supe me lulebliri hidhet në 1 gotë me ujë të sapovaluar; ena mbulohet me kapak dhe lihet 5-10 minuta duke e tundur herë pas here, pastaj lëngu kullohet, dhe pihet i ngrohtë. Merren disa doza të tilla gjatë ditës.

Në vende të thata droga ruan veprimin e vet për 2 vjet.

14. Boronica (Vaccinium myrtillus, familja Ericaeae)

Droga përbëhet nga frytet e pjekura dhe të thara të boronicës (emra të tjerë: thrashegra, qershigla e egër, e zakonshme në pyje, në livadhe të zonave malore ; lulëzon në maj-korrik; frutifikon në korrik-shtator.

Frytet e boronicës përdoren kundër heqjes së barkut, majasëllit, infeksioneve të zgavrës së gojës dhe të fytit; në hemorragjitë e retinës (të tipit diabetik dhe hipertensiv);  në diabet.

Frytet merren nga goja në varësi të moshës (mesatarisht 5-10 gram), përtypen dhe gëlltiten. Përdoren edhe në formë çaji duke zhytur në një gotë me ujë sasinë e fryteve të mësipërme, të cilat pasi mufaten, zihen lehtë.

Gjethet përdoren në formë çaji, i cili përgatitet duke zier 2 lugë kafeje me drogë të grimcuar në një gotë ujë.

15. Borziloku (Ocimum basilicum, familja Labiataee)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e tharë e borzilokut ose sefërgjenit.

Bima përdoret si erëz, qetësues i dhembjeve të barkut, kundër pezmatimit kronik të stomakut, kapsllëkut që vjen nga ngërçi (tkurrja, shtrëngimi) i muskulaturës së zorrës, çrregullimeve të zorrëve etj.

Dy lugë çaji me drogë të grimcuar hidhen në 1 gotë me ujë të sapozier; ena mbulohet me kapak dhe lihet për 10-15 minuta duke e tundur herë pas here; pastaj lëngu kullohet dhe pihet. Gjatë ditës mund të përdoren 2-3 doza të tilla.

Bari i borzilokut përdoret edhe në formë llapaje në dëmtime të lëkurës (eritema, ekzema) të shkaktuara nga fërkimi. Për këtë qëllim, droga zbutet me pak ujë të valuar, përzihet derisa të marrë trajtë llapaje, pastaj vihet mbi vendin e dëmtuar të lëkurës.

Përdoret edhe kundër mahisjes së gojës dhe të fytit në formë gargare, në këtë mënyrë: 5 lugë gjelle me drogë të grimcuar zihen në një enë të zinkuar për 3-5 minuta me dy gota me ujë. Pastaj lëngu kullohet dhe përdoret për gargarë ose për të shpëlarë gojën.

Ruhet në vende të thata deri në 2 vjet.

16. Bushi (Buzus sempervirens, familja Buxaceae)

Droga përbëhet nga gjethet dhe lëvoret, të thara, të bushit (emra të tjerë: shemshiri, pikësas, e cila është një shkurre e zakonshme në toka të thata e gëlqerore deri në 1600 m mbi sipërfaqen  e detit.

Droga ka veti dezinfektuese.

Bushi përdoret për uljen në përgjithësi të temperaturës së shkaktuar nga pezmatimet e rrugëve të tëmthit dhe të urinës, si dhe për uljen e tensionit të gjakut; nga jashtë përdoret në podagër, në sëmundje të lëkurës dhe reumatizëm. Duhet të përdoret nën mbikëqyrjen e mjekut sepse është helmuese.

1/2 kafeje me drogë të copëtuar hidhen në një filxhan çaji me ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak, lihet derisa të ftohet, pastaj çaji kullohet, e pihet gjatë ditës në 3 doza. Në vende të freskëta dhe të thata e ruan veprimin për 2 vjet.

17. Çaji kinez (Thea Sinensis L., familja Theaceae)

Çaji kinez ose i Evropës përbëhet nga gjethet e thara të bimës .

Çaji kinez përdoret për gjallërimin dhe tonizimin e organizmit; në ethe, grip, heqje barku, si diuretik, si kundrahelm (antidot) në helmime me substanca frenuese. Nuk rekomandohet në persona qe vuajnë eksitimi nervor dhe nga presioni i lartë i gjakut.

Një lugë kafeje me drogë hidhet në 250-300 ml ujë të sapovaluar, ena mbulohet me kapak dhe pas 5-10 minutash kullohet. Çaji pihet disa herë në ditë sipas dëshirës. Çaji del i shijshëm kur përgatitet menjëherë me ujë të valuar.

18. Çaji i malit (Sideritis Raeseri Bois. Et Heldr., familja Labiatae

Çaji i malit përbëhet nga pjesa mbitokëzore e bimës.

Çaji i malit përdoret si pije familjare. Bima mund të rekomandohet edhe si bar kundër ftohjeve.

Një lugë e çajit të malit grimcohet dhe hidhet në1 gotë ujë të sapovaluar; ena mbulohet me kapak, lihet të qëndrojë për 15-20 minuta duke e përzier herë pas here; lëngu kullohet; merren disa doza të tilla në ditë.

19. Çikoria (Cichorium intybus L., familja Compositae)

Droga përbëhet prej gjetheve dhe rrënjëve të çikores , të cilat mblidhen në pranverë dhe në vjeshtë. Çikoria është bimë barishtore shumëvjeçare deri në 1 m e lartë. Lulëzon në korrik deri në shtator.

Drogat përdoren për gjallërimin e organizmit, për nxitjen e tretjes dhe urinimit, përmirësimin nganjëherë të ekzemës, zbrasjen e fshikëzës së tëmthit dhe të dalët jashtë, pa acaruar aparatin tretës.

Zihen 1 lugë gjelle me rrënjë ose me gjethe të grimcuara në një xhezve të madhe me ujë dhe çaji kullohet; pihen 2-3 doza të tilla në ditë. Në enë të mbyllura mirë droga e ruan veprimin për 2 vjet.

20. Dafina (Laurus nobilis L. , familja Lauraceae)

Droga përbëhet prej gjetheve e fryteve të thara të dafinës ose larit ; lulëzon në maj-prill; frutifikon në tetor-nëntor.

Gjethet e dafinës përdoren si ndihmëse në mjekimin e bronkitit e të gripit, në rastet e ftohjes që shoqërohet me temperaturë, si erëza etj.

Frytet e dafinës përdoren më shumë në veterinari, si mjet për të shtuar oreksin dhe si stomakik.

Një lugë gjelle me gjethe dafine të grimcuara (së bashku me 1 lugë gjelle me lëvore portokalli, në rast se keni) hidhen në një 1 gotë ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe përzierja lihet të qëndrojë 10 minuta. Pastaj kullohet. Pihen 2-3 gota të tilla në ditë. Në formë banje frytet e dafinës përdoren kundër djersitjes së tepërt dhe erës së keqe të këmbëve, në këtë mënyrë: një grusht me fryte të thara e të copëtuara të dafinës hidhen në një enë ku shtohet 1 litër ujë. Ena mbulohet me kapak dhe përmbajtja zihet për 20 minuta, lihet derisa të ftohet. Lëngu kullohet, zbrazet në një legen ku paraprakisht është hedhur ujë i ngrohtë. Këtu futen këmbët dhe mbahen për një kohë të gjatë. Në vende të thata drogat e ruajnë efektin për 2 vjet.

21. Dëllinja (Juniperus Communis, familja Cupressaceae)

Droga përbëhet nga frytet e pjekura e të thara të shkurres së dëllinjës së zezë; bimë e përhapur. Fryti në vitin e parë është i gjelbër, ndërsa kur piqet (në vitin e dytë) bëhet gati i zi. Bima lulëzon frytifikon në shtator-nëntor.

Droga përdoret për nxitjen e urinimit dhe pengimin e zhvillimit të mikrobeve në rrugët urinare; përdoret në hidropizi, në reumatizmin e kyçeve; në të ftohur, në bronkitet katarale, sepse ndihmojnë në nxjerrjen e gëlbazës dhe në lehtësimin e kollës. etj. Droga sforcon veshkën prandaj nuk këshillohet tek fëmijët dhe në rastet me veshkë të sëmurë.

Një lugë kafeje me drogë të grimcuar hidhet në një gotë me ujë. Ena mbulohet me kapak dhe përmbajtja zihet për 5-10 minuta, lihet në qetësi derisa të ftohet, kullohet dhe lëngu pihet. Merren 2-3 doza të tilla në ditë.

Përgatitja e frytave rekomandohet në këtë mënyrë: 1 kg fryte hidhen në 10 l ujë. Mbas disa ditësh (4-5) kur merr erën e dëllinjës, uji pihet me gota disa herë në ditë si mjet diuretik dhe ne çrregullime të traktit tretës. Lëngu që hiqet nga ena zëvendësohet me ujë. Kjo gjë vazhdon derisa kokrrat e dëllinjës të bien të gjitha në fund të enës. Në këtë rast nuk hidhet më ujë dhe lëngu pihet derisa të mbarojë.

22. Drunakuqi (Rhamnus frangulaFrangula alnus Miller, familja Rhamnaceae)

Droga përbëhet nga lëvoret e thata të degëve të drunakuqit (emra të tjerë janë zogja, tulkuqi, i cili është një dru i vogël, i rrallë, në pyje me lagështi, në toka argjilore silicore etj.

Në kapsllëkun e shkaktuar nga pamjaftueshmëria e lëngut të tëmthit këshillohet përdorimi i drunakuqit me droga të tjera siç janë rrënjët e çikores, gjethet e senës dhe të rradhiqes, gjethet e angjinaers etj., rezultate të mira ato japin edhe kundër majmërisë.

Një lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhen në një enë ku shtohet një gotë me ujë, përmbajtja lihet në qetësi 15 minuta dhe pastaj zihet për 10 minuta. Lëngu lihet të ftohet dhe kullohet. Pihet i ngrohur në mbrëmje para gjumit. Në kapsllëkun e fortë doza e mësipërme përsëritet edhe në mëngjez esëll. Droga përdoret edhe në formë pluhuri; në këtë rast merren 1-3 gr në ditë.

Lëvoret e drunakuqit duhet të përdoren të paktën 1 vit pas mbledhjes. Të ngjashme nga përmbajtja, veprimi e përdorimi me lëvoret e drunakuqit janë ato të arrçit (Rhamnus fallax), i cili është mjaft i përhapur. Në vende të freskëta dhe të thata droga e ruan veprimin për 4-5 vjet.

23. Dydhëmbëshi trepjesësh (Bidentis tripartita L., familja Compositae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e tharë e bimës , e cila takohet në toka me lagështi të zonave të ulëta.

Bari i mbledhur në kohën e fillimit të lulëzimit të bimës dhe i tharë, shton djersitjen dhe urinimin; përmirëson tretjen; ndikon në normalizimin e metabolizmit. Këshillohet në gurët e veshkave dhe çrregullimet e fshikëzës së urinës, kundër hemorragjive të brendshme etj.

2-4 lugë supe me drogë të grimcuar hidhen në një enë cingo ku shtohet 1 l ujë i sapozier. Përmbajtja lihet të qëndrojë 15 minuta në enë të mbuluar me kapak. Pastaj lëngu kullohet; prej këtij lëngu të rriturit mund të pijnë 2-3 gota, kurse fëmijët 2-3 filxhanë në ditë. Në vende të thata droga e ruan veprimin për 2 vjet.

24. Elbi (Hordeum vulgare L., familja Graminaceae)

Droga përbëhet nga frytet e elbit .

Elbi përdoret për të mjekuar sëmundjet inflamatore të sistemit të tretjes; për gargarë në mahisjen e bajameve dhe inflamacionin e fytit; si freskues dhe si mjet i lehtë kundër heqjes së barkut.

Malti që përbëhet nga elbi i mbirë jo plotësisht (në mënyrë artificiale), përveç përgatitjes së birrës përdoret edhe në formë pluhuri në dozat 5-20 gr në ditë, si ushqyes tek fëmijët që kanë të dobët muskulaturën e stomakut dhe të zorrëve, tek të moshuarit dhe në rastet e urthit (hiperkloridrisë) tek të rriturit.

Në rastet e enteritit mund të përgatitet ky çaj: zihen në 3 litra ujë nga 2 lugë me grurë, elb, tërshërë, misër, thekër dhe krunde derisa të ngelet 1 litër. Lihet të ftohet, pastaj lëngu kalohet nëpër një napë të hollë, pihet brenda 24 orëve ashtu siç është ose i holluar me qumësht dhe i ëmbëlsuar.

25. Fasulja (Phaseolus vulgaris L., familja Leguminoseae)

Droga përbëhet nga bishtaja pa fryte, të thara të fasules (groshës).

Bishtajat pa farë (lëvozhgat) të groshës nuk janë helmuese.

Droga përdoret si diuretike në rastet e grumbullimit të ujit në organizëm; në sëmundje të veshkave dhe të rrugëve të urinës; përdoret si antidiabetike e lehtë; për uljen në një masë të lehtë të presionit të ngritur të gjakut.

Droga nxirret nga fasule të pjekura. Fasulet e gjelbra (bishtajat me fasule të papjekura) në disa persona mund të shkaktojnë sëmundje të lëkurës nga prania e proteinës helmuese fazinë. Kjo proteinë që në persona të tjerë mund të shkaktojë edhe të vjella dhe diarre, pezmatime të zorrëve etj. shkatërrohet me zierje.

Katër grushte me drogë të grimcuar zhyten në dy litra me ujë, lihen disa orë të bymehen, pastaj zihen derisa të ngelet gjysëm litri lëng. Pihen 2-3 gota në ditë, para buke.

26. Fiku (Ficus carica L., familja Moraceae)

Droga përbëhet nga frytet e thata të fikut.

Përdoret si laksativ i lehtë, në bronkitet dhe në kollë. Në formë gargare frytet përdoren në pezmatimet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe të gojës.

50 gr fiq të thatë futen në darkë në një enë ku shtohen 500 ml ujë dhe zihen 20 minuta. Të nesërmen fiqtë hahen dhe lëngu pihet. Kjo kurë përdoret kundër kapsllëkut

Lëngu qumështor i freskët i frytit, i gjetheve dhe i degëve të reja përdoret për zhdukjen e lytheve (verrukave) duke i pikuar ato çdo ditë 2-3 herë me lëng.

Lëngu qumështor përdoret edhe për zhdukjen e qukave të fytyrës, duke i lyer ato një herë në ditë.

27. Fik ujku (Aristolochia clematitis, familja Aristolochiaceae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar  dhe nga rizoma, të thara të fik ujkut ose petrikut, i cili është bimë barishtore shumëvjeçare, bar i keq i kulturave bujqësore. Lulëzon në maj-korrik.

Ndihmon në veprimin e antibiotikëve e të substancave kundër kancerit; ka veprim të lehtë spazmolitik; ndihmojnë mekanizmat mbrojtëse në organizëm. Kur aplikohet nga goja ka veprim helmues të ngjashëm me kolkicinën. Nga jashtë përdoren për mjekimin e plagëve të infektuara, të puçrrave; të panariçeve (zonave të infektuara përreth thonjve të duarve dhe të këmbëve), në plagë të qelbëzuara etj. Në këto raste drogat ndihmojnë epitelezimin e indeve pa formuar granulacione të tepërta.

Në disa vende drogat përdoren kundër gutës (podagrës) dhe reumatizmit, si dhe në mjëkimin e plagëve që shkaktohen nga kafshimi i gjarpërinjve.

Dy lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhen në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë dhe përmbajtja zihet 20 minuta. Pas ftohjes lëngu kullohet dhe përdoret në formë kompresash për 15 minuta (të ngrohura në temperaturën e trupit) çdo ditë në sipërfaqet e dëmtuara të lëkurës.

28. Fomi mjekësor (Fumaria officinalis L., familja Papaveraceae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e tharë e fomit mjekësor, bimë njëvjeçare, e zakonshme. Lulëzon mars-gusht.

Përdoret në sëmundje të fshikëzës së tëmthit dhe të mëlçisë, në heqjet e barkut nga çrregullimet e tretjes, në kapsllëk dhe në sëmundje që karakterizohen nga mbajtja e ujit në organizëm. Acidi fumarik ndihmon proçeset e oksidimit në organizëm.

Droga e fomit mjekësor në doza të larta mund të shkaktojë paralizën e qendrës së frymëmarrje.

Dy lugë kafeje (2.5 gr) drogë e grirë hidhen në një enë të zinkuar ku përvëlohen me 1 gotë ujë që zien. Ena mbulohet me kapak dhe lihet 10-15 minuta. Pastaj çaji kullohet dhe pihet në dy doza gjatë ditës. Në vende të thata droga ruan veprimin për 2 vjet.

29. Frashëri i bardhë (Fraxinus Ornus L., familja Oleaceae)

Droga përbëhet nga gjethet e thara të frashërit të bardhë,  i zakonshëm kudo. Lulëzon në maj-qershor.

Droga nxit të urinuarit, djersitjen, të dalët jashtë; rekomandohet në mjekimin e reumatizmit dhe të gutës.

Një deri 2 lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhen në një enë ku përvëlohen me një gotë ujë që zien, lihen 15 minuta dhe pastaj lëngu kullohet, ëmbëlsohet sipas dëshirës dhe pihet. Merren 2 doza të tilla në ditë gjatë ngrënjies.

30. Ftoi (Cydonia oblonga Mill., familja Rosaceae)

Ftoit për qëllime mjekësore i përdoren farat dhe gjethet e thara, si dhe tuli i fryteve.

Farat e ftoit përdoren si ekspektorante, laksativë; si mjet që rregullon tretjen në sëmundje të stomakut e të zorrëve; në kollë. Gjethet e ftoit përdoren kundër diarresë.

Farat duhet të përdoren të plota, çaji nga farat përgatitet si vijon: 1 lugë kafeje me fara ftoi hidhen në një enë ku shtohen 2 gota me ujë. Përmbajtja zihet për 10 minuta, lihet në qetësi 15 minuta dhe pastaj lëngu kullohet dhe pihet gjatë ditës.

Çaji nga gjethja përgatitet kështu: 10-10 gr gjethe ftoi të thara e të grimcuara hidhen në një enë ku shtohet 1 litër ujë. Përmbajtja zihet 5 minuta dhe pas vakjes lëngu kullohet. Pihen 2-3 gota çaj në ditë në rastet e heqjes së barkut dhe mund të përdoret edhe nga jashtë për larje vaginale kundër leukoresë.

31. Fshesa e keqe(Erigeron canadensis L., Familja Compositae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar dhe e tharë e fshesës së keqe, lulëzon në qershor-tetor.

Droga shton nxjerrjen e acidit urik; ndalon rrjedhjen e gjakut (hemostatike); nxit formimin e rruazave të bardha të gjakut; përdoret si mjet hemostatik dhe diuretik në hemorragji, në heqje barku me gjak dhe në proçese pezmatimi të rrugëve urinare. Esenca e bimës përdoret në gutë, në reumatizmin kronik dhe në sëmundje të metabolizmit.

5 lugë kafeje me drogë të grimcuar hidhen në një enë, ku shtohet një filxhan ujë. Përmbajtja zihet për 5 minuta, lihet të ftohet, kullohet dhe pihet. Pihen 3 doza të tilla në ditë.

32. Gërdeci(Arctostaphylos uva ursi L., Sprenger, familja Ericaseae)

Droga përbëhet nga gjethet e thara të gërdecit të rëndomtë, i cili tek ne takohet rrallë në Alpet e Shqipërisë veriore dhe verilindore.

Përdoret për pengimin e zhvillimit dhe rritjes së mikroorganizmave në rrugët urinare. Në sëmundje të aparatit urinar ato mund të përdoren vetëm atëhere kur urina është bazike. Kjo gjë mund të arrihet duke përdorur njëkohësisht bikarbonat natriumi për të forcuar veprimin e drogës në rastet e infeksioneve me bakteret e grupit koli si dhe në rastet kur urina është acide. Mjekimi duhet të kontrollohet nga mjeku, sepse në doza të lartë droga mund të dëmtojë mëlçinë. Droga hyn në përbërjen e çajrave diuretikë. Kur përdoret për një kohë të gjatë mund të shkaktojë kapsllëk.

Dy lugë çaji me drogë të grimcuar (baraz me 5.5 gr) hidhen në një enë ku shtohet gjysëm gote me ujë që zien. Përmbajtja lihet në qetësi për 30 minuta, pastaj lëngu kullohet. Çaji që fitohet pihet 2-3 herë gjatë ditës. Nuk këshillohet përgatitja e çajit me zierje sepse në këtë rast ai del më i hidhur dhe më pak i efektshëm. Droga mund të përdoret edhe në formë pluhuri: merren 3-4 herë nga 2gr në ditë. Në vende të thata e ruan veprimin deri në 2 vjet.

33. Gështenja (Castanea sativa Miller, Castanea vesca Caertn, familja FAgeseae),

Droga përbëhet nga gjethe të thara të gështenjës e cila tek ne takohet me shumicë deri në 1200 m lartësi.

Gjethet e thara të gështenjës ndihmojnë në nxjerrjen e gëlbazës (ekspektorante) dhe në qetësimin e kollës. Rekomandohet edhe kundër reumatizmit.

1 deri 3 lugë kafeje me drogë të grimcuar hidhen në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë të valuar. Ena mbulohet me kapak. Përmbajtja lihet 15 minuta, pastaj çaji kullohet. Pihen 1-3 gota çaj në ditë. Ruajtja: në vende të thata, deri në 2 vjet.

34. Gështenja e egër (Aesculus hippocastanum L., familja Hippocastanaceae)

Droga përbëhet nga lulet dhe farat e thara të gështenjës së egër ose gështenjës së kalit, e cila është dru që takohet tek ne i egër në lartësi 800-1600 metër (në Nemërçkë, në malin e Çikës) dhe si dru i kultivuar në zbukurimin e parqeve në qytete.

Droga përdoret si rrudhëse, anti-reumatike, anti-koaguluese dhe ekspektorante në pezmatimin e rrugëve të frymëmarrjes, në grumbullimin e gjakut në vena, në pezmatime sipërfaqësore dhe të thella të venave, në majasëll dhe në sindromin pas trombozës;  në çrregullime të qarkullimit periferik, si psh. në sëmundjen Reno, në çalimin e herëpashershëm dhe në çrregullime të enëve të gjakut që furnizojnë trurin.

2-3 lugë çaji me drogë lule hidhen në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë që zien. Përmbajtja lihet në qetësi 15 minuta (me përzierje të herëpashershme) dhe pastaj kullohet. Lëngu pihet gjatë ditës.

35. Grami (Cynodon dactylon Pers, familja Graminaseae)

Droga përbëhet nga rizoma e tharë, e grimcuar e gramit zvarranik.

Droga nxit urinimin;  përdoret në pezmatimin e pjesëve të poshtme të rrugëve urinare, në reumatizëm dhe sëmundje të lëkurës; në mjekimin e hipertensionit arteria;  si ndihmëse në sëmundjen e diabetit.

Një lugë supe me drogë të thërmuar (5 gr) futet në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë (150-200 ml) dhe zihet 10 minuta, pastaj çaji kullohet dhe pihet. Gjatë ditës merren 2-3 doza të tilla.

36. Grunamadhi (Melilotus officinalis Desr., familja Leguminosae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar ose nga majat e lulëzuara , të thara, të grunamadhit ose të makthit, i cili është bimë e vendeve gurishtore-ranore e barishtore. Lulëzon në maj-korrik.

Bari  përdoret sipas porosisë dhe nën mbikëqyrjen e mjekut, si mjet kundër mpiksjes së gjakut, si qetësues, spazmolitik dhe si mjet kundër pezmatimit dhe etheve. Droga rrit qëndrueshmërinë e enëve të gjakut, duke rritur depërtueshmërinë e tyre. Përmirëson qarkullimin e gjakut në tru e në periferi dhe qarkullimin venoz.

Përdoret edhe nga jashtë, në formë kompresash, për larje si dhe në formë llapash, si mjet që qetëson, zbut dhe shëron plagë të ndryshme.

Një lugë çaji me drogë të grimcuar hidhet në një filxhan çaji me ujë të sapozier. Përmbajtja lihet 15 minuta në qetësi, kullohet dhe pihet. Gjatë ditës mund të pihen 2-3 doza të tilla, dmth gjithsej 5 gr drogë.

Çaji më i përqëndruar që përgatitet duke i hedhur 2-3 herë më shumë drogë, përdoret nga jashtë, në formë komprese e banje, si antiseptik në pezmatimet e syve, për shpëlarjen e plagëve me qelb, si gargarë në xhinxhivitet, aftet, laringjitet etj. Droga përdoret edhe në formë llape që fitohet duke përzier drogën e grimcuar me ujë të ngrohtë derisa të kthehet në brumë. Ky brumë vihet me ndihmën e një lecke ose garze mbi vendin e sëmurë.

37. Gjarpër mjekësor (Ceterach officinarum Lam. et DC, familja Polypodiaceae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e tharë e fierit gjarpër mjekësor ose bar gjarpërit, që takohet nëpër shkëmbinj dhe mure ,  me pakicë.

Droga  përdoret si qetësuese, ndihmëse kundër kollës dhe acarimeve të rrugëve të frymëmarrjes; nxit urinimin tek të sëmurët që vuajnë nga mbajtja e vazhdueshme e urinës dhe nga prania në këtë të fundit të oksalateve dhe të acidit oksalik.

10 gr drogë e grimcuar zihen për 30 minuta në një gotë me ujë në një enë të mbyllur me kapak. Lihet 15 minuta në qetësi dhe pastaj çaji kullohet e pihet gjatë ditës.  Ruhet në vene të thata , deri në 2 vjet.

38. Gjembardha (Eryngium campestre L., familja Umbelliferae)

Droga përbëhet nga rrënjët e thara të gjembardhës, e cila është bimë e rrallë në toka të thata ranore të zonave fushore.

Droga-rrënjë ka veti të rrisë të urinuarit, për këtë këshillohet në gurët urinarë, kundër rërës, në disa sëmundje të lëkurës etj.

5 lugë gjelle me rrënjë të grimcuara hidhen në një enë të zinkuar ku zihen për 5-10 minuta, me 6 gota ujë. Pastaj lëngu kullohet dhe pihet me gota gjatë ditës. Ruhet në vende të thata deri në 2 vjet.

39. Gjembgomari (Silybum marianum Gaertn., familja Compositae)

Droga përbëhet prej farave të thara të gjembgomarit, i cili është bimë 1 ose 2 vjeçare e vendeve të papunuara të zonave fushore.  Droga fitohet duke tharë kaptinat (e mbledhura pak para pjekjes së plotë). Pas tharjes kaptinat shkriftohen dhe farat veçohen prej pjesëve të tjera.

Droga  përdoret si koleretike, kolagoge dhe sedative në gurët e tëmthit që shkaktojnë dhembje, në sëmundjen e të verdhtit, në sëmundje të mëlçisë e të fshikëzës së tëmthit, si dhe në pezmatime të mëlçisë dhe në cirrozë; përdoret kundër të gjitha dëmtimeve parenkimatoze të mëlçisë; nga jashtë përdoret për mjekimin e majasëllit, në ngërçe të venave etj.

Droga mund të përdoret në formë pluhuri duke marrë 4-5 herë në ditë nga një lugë çaji me fara të pluhurosura. Droga përdoret edhe në formë çaji si vijon: Një lugë çaji me fryte të copëtuara hidhen në gjysëm gote uji të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet në qetësi 15 minuta. Lëngu kullohet dhe pihet. Merren 2-3 doza të tilla në ditë. Ruhet në vende të thata, deri në 2 vjet.

40. Gjethedelli (Plantagomajor L., Plantago media, Plantago lanceolata, familja Plantaginaceae)

Droga përbëhet nga gjethet e thara të gjethedellit , bimë e zakonshme në zona fushore, si buzë udhësh e vijash, në kullota etj.. Lulëzojnë në pranverë-verë.

Droga pëdoret  për të provokuar nxjerrjen e gëlbazës (ekspektorant); si ndihmëse për të mjekuar katarret e rrugëve të frymëmarrjes, bronkitin, azmën etj; nga jashtë për mbyllje plagësh të ndryshme, puçrrash varikoze etj.; në formë çaji për larjen e syve (në acarimin e konjuktivës etj.), për gargarë në rastet e acarimit të bajameve,.

Një lugë supe me drogë të grimcuar hidhet në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë. Përmbajtja lihet 1 orë të bymehet, pastaj zihet për 10-15 minuta, kullohet dhe çaji pihet. Pihen 2-3 gota në ditë. Nga jashtë përdoren më shpesh gjethet e njoma, të lara dhe të njomura për 1 orë me ujë të valuar, me të cilat përgatiten llapa për mjekime plagësh të ndryshme të lëkurës.

Kallinjtë e frutifikuar të gjethedellit të madh (Plantago major) grumbullohen gjatë verës dhe thahen në hije. Droga e fituar përgatitet për mjekimin e pezmatimit të veshkave dhe si ndihmëse në sëmundjen e prostatës në këtë mënyrë: ~40 gr kallinj të frutifikuar zihen në 3-4 litra ujë derisa ky i fundit të shterojë në ½ litër. Përmbajtja kullohet, mbetja shtrydhet në mënyrë që e gjithë masa e lëngët të kalojë në çaj, pihen 3 gota në ditë, para buke. Në mëngjez pihet esëll. Kura vazhdon deri në mjekimin e plotë.

41. Gjineshtra ngjyruese (Genista tinctoria, familja leguminosae)

Droga përbëhet nga bari i lulëzuar dhe i tharë i gjineshtrës ngjyruese, e cila është një gjysëm shkurre, e shpeshtë nëpër pyje, shkurreta e kullota. Lulëzon nga maji në gusht.

Droga përdoret si diuretike dhe si dezinfektuese në sëmundjet e veshkave dhe në sëmundjet e rrugëve të poshtme urinare; pëdoret në edema dhe në pamjaftueshmëri të zemrës.

Një lugë çaji me drogë të grimcuar hidhet në një enë ku shtohet 1 gotë çaji me ujë që zien. Përmbajtja lihet në qetësi 15 minuta, pastaj lëngu kullohet, pihen 2 doza të tilla në ditë.

42. Gjyhënusja (Ononis spinosa L., familja Leguminosae)

Droga përbëhet nga rrënjët e thara të gjuhënuses ose të kalmuthit me gjemba, i cili është një shkurrë me gjemba, pothuajse e zakonshme në toka të thata, djerrë, kryesisht në zona të ulëta.

Droga përdoret në rastet me gurë në veshka ose në fshikëz, në rastet e pezmatimit të fshikëzës së urinës (cistit), në nefrite me gurë, në reumatizëm etj. Këshillohet të pihet 3 ditë rresht pastaj të bëhet një ndërprerje 3 ditore. Nuk lejohet përdorimi tek fëmijët.

20 gr drogë e grimcuar zihen në 1 litër ujë derisa të ngelet ¼ e lëngut. Çaji kullohet dhe pihet gjatë ditës. Në vende të thata ruhet deri në 2 vjet.

43.Hashashi (Cannabis Sativa)

Për mjekim përdoret lulja dhe gjethja e bimës. Hashashi është përdorur si çaj, tinkturë, duhan; në kremëra etj. Lulja e hashashit ka deri në 10 herë më shumë substanca aktive se gjethja, dhe deri në 100 herë më shumë se kërcejtë dhe farat.

Kultivimi i hashashit mund të kryhet vetëm me leje nga Ministria e Brendshme. Posedimi i dozave të vogla të hashashit, për përdorim personal nuk konsiderohet vepër penale.

Hashashi është përdorur që në mijëvjeçarin e 3-të përpara erës sonë. Përdorimet mjekësore të tij përfshijnë: kundër nauzeas dhe të vjellave; kundër glaukomës (pakëson tensionin e syrit); kundër dhimbjeve, sidomos atyre neuropatike (si analgjezik); për shtimin e oreksit etj. Gjatë luftës së dytë botërore është përdorur në hetimin e të dyshuarve për të nxjerrë prej këtyre informacione në gjendje të droguar. Në disa shtete të SHBA-së hashashi konsiderohet bimë mjekësore që mund të rekomandohet nga mjeku.  (http://en.wikipedia.org/wiki/Marijuana)

Gjithashtu, vaji i hashashit perdoret per sherimin e kancerit (per me shume lexoni artikullin mbi kurat natyrale kunder kancerit)

Aktualisht rreth 60 organizata shëndetësore ndërkombëtare dhe të SHBA-së kërkojnë ligjërimin e përdorimit mjekësor të hashashit (http://norml.org/marijuana/medical).

44. Herniaria (Herniaria glabra, Herniaria hirsuta, familja Carophyllaceae)

Droga përbëhet nga bari i lulëzuar i tharë i herniarieve, bimë që takohet në vende të thata, ranore e gurishtore, në fusha etj.

Droga përdoret si antiseptik në krizat e veshkave, në pezmatimet e fshikëzës së urinës; në rastet e gurëve dhe të rërës në rrugët urinare, në sëmundjet kronike të veshkave dhe në rastet e pakësimit të nxjerrjes së lëngjeve nga organizmi. Droga ka veti të qetësojë dhimbjet.

2-3 lugë çaji me drogë të grimcuar hidhen në një filxhan çaji me ujë të sapozier. Përmbajtja lihet 15 minuta duke e përzier herë pas here, pastaj kullohet dhe pihet. Merren 2 doza të tilla në ditë.

45. Hithra (Urtica dioica, familja Urticaceae)

Droga përbëhet nga gjethet e thara të hithrës.

Gjethet e hithrës përdoren kundër anemisë; për ndalimin e hemorragjisë; si ndihmëse në sëmundjen e sheqerit; si nxitëse të urinimit; për shtimin e qumështit tek gratë me fëmijë në gji; si mjet diuretik i lehtë në pezmatime të rrugëve të urinës, në edema dhe në reumatizëm; si mjet ndihmës në sëmundje të mëlçisë dhe të tëmthit; në formë çaji kur organizmi ka nevojë për vitamina; si perime kundër anemisë si dhe për të fuqizuar dhe harmonizuar punën e zorrëve. Hithrat e freskëta, të rritura, përdoren në reumatizëm si mjet që nxit qarkullimin e gjakut në lëkurë (veprimi djegës dhe kruajtës). Droga përdoret edhe nga jashtë për të nxitur rritjen e flokëve, kundër zbokthit, për mjekimin e ekzemës etj.

Droga e tharë, si dhe ekstraktet e fituara nga bima e njomë, por me ngrohje, nuk kanë veti djegëse. Këtë veti e ruajnë ekstraktet alkoolike që fitohen nga bima e freskët.

Një luge supe me drogë të grimcuar zhytet në një gotë me ujë, zihet 5 minuta, pastaj çaji kullohet dhe pihet. Merren 1-3 doza të tilla në ditë.

46. Hudhra (Allium sativum, familja Liliaceae).

Thelpinjtë e hudhrës përdoren si anti-mikrobike; në sëmundjet e aparatit tretës stomak-zorrë; në qetësimin e spazmave të zorrëve; për dezinfektimin e aparatit tretës; për  normalizimin e prodhimit të lëngjeve tretëse; shtimin e prodhimit të tëmthit; kundër parazitëve të zorrëve (kundër oksiureve); për zhdukjen e gazeve; për uljen e tensionit (të ngritur të gjakut); kundër sklerozës; kundër shtrëngimeve të zemrës, në sëmundje të aparatit të frymëmarrjes për nxjerrjen e gëlbazës; në parandalimin e infeksioneve; për mjekimin e plagëve të infektuara; në sëmundjet infektive, si psh. kundër gripit, tifos, difterisë, dizanterisë dhe kollës së mirë (kolla e bardhë, pertussis); si kundërhelm në helmimet me nikotinë.

Përdoren disa thelpinj hudhër në ditë. Nga hudhra përgatitet alkoolaturë si vijon: merren 200 gr hudhra, zhvishen, copëtohen dhe lihen të zhytura në 1 litër alkool 60o për 10 ditë rresht, duke e tundur herë pas here. Përgatitja bëhet në enë prej qelqi, porcelani ose të zinguara. Pas 10 ditësh lëngu kullohet dhepërdoret 2-4 herë në ditë 20 deri në 40 pika në sëmundjet e ndryshme të brendshme.

Shirupi i hudhrës përgatitet si vijon: 1 pjesë hudhër lihet e zhytur në 2 pjesë ujë të vakët (37o) për 1 orë duke shtuar disa pika uthull të fortë. Përzierja kullohet, i shtohen 2 pjesë sheqer, i cili tretet me ngrohje të lehtë. Nga ky shurup përdoren 2-3 lugë supe në ditë.

Kundër parazitëve hudhra merret në formë klizme si vijon: 10 gr hudhra shtypen dhe zhyten në ¼ litër ujë ose qumësht ku lihen 12 orë, pastaj lëngu kullohet dhe përdoret në dy klizma.

Për mjekimin e plagëve përdoret qull hudhre, duke zhytur disa thelpinj të cilët përzihen me gjalpë e vaj.

Bimët mjekësore për të cilat nuk është përmendur afati i skadencës së cajit të tharë e kanë skadencën 18 muaj.

Burimet:

  • “Bimet Mjekesore ne Familje”, me autorë P. Kokalari, Z. Sima,  P.Xinxo, Tirane,
  • Wikipedia
  • “Gjogjito Novenyek” (“Bimët Mjekësore”), me autorë Rapoti Jeno, Romvary Vilmos, Budapest, 1999

Bimët mjekësore. Gjithçka për një shëndet të mirë është tek bimët që ndodhen rreth nesh

Standard

Bimet mjeksore, K-ZH

Piku i naftës po sjell shtrenjtimin e ilaceve sintetike, sepse në prodhimin dhe transportin e këtyre ilaceve nevojitet nafta si lëndë e parë dhe si karburant. Në shumë sëmundje  bimët mjekësore mund të përdoren në vend të ilaceve sintetike. Më poshtë vijon një informacion i përgjithshëm mbi bimët mjekësore në rend afalbetik nga K-ja tek Zh-ja.

Shenim: Ky artikull ka vetem qellim informimi. Per cdo diagnostikim ose trajtim shendetesor drejtohuni mjekut.

46. Kafeja (Coffea arabica, C. liberica, C. robusta Linden etj., të familjes Rubiaceae)

Droga përbëhet nga farat e llojeve të ndryshme të kafesë .

Kafeja eksiton sistemin nervor qendror; aftëson trurin për punë mendore; shton vëllimin e frymëmarrjes dhe e shpejton atë duke përmirësuar ajrisjen e mushkërive; fuqizon punën e zemrë dhe të gjithë muskulaturës së skeletit; rrit aftësinë lëvizëse të stomakut, peristaltikën e zorrëve dhe diurezën.

Nuk duhet përdorur në sëmundjen e hipertensionit; nga të sëmurë nga nervat, nga të sëmurë me dëmtime të zemrës, nga të sëmurë me artrit dhe urenikë.

Pirja e dozave të larta të kafesë mund të shkaktojë pagjumësi, nervozitet, dobësim, probleme me stomakun.

47. Kamomili (Matricaria chamomilla)

Kamomili largon gazrat, qetëson dhimbjet e zorrëve, të stomakut. Përdoret kundër diarresë, kundër infeksioneve urinare, si qetësuese; në mjekimet lokale të lëkurës, në djegje; për shpëlarjen e syve, të veshëve, hundës, gojës, për klizmë etj. Në formë kompresash ose pluhuri përdoret për mjekimin e plagëve, majasëllit, djegjeve. Ajo ndihmon në rigjenerimin dhe cikatrizimin e lëkurës. Pakëson dhembjet e shkaktuara nga plaga.

Një lugë supe kamomili hidhet në një gotë me ujë të valuar, lihet 5-10 minuta. Lëngu kullohet dhe pihet. Lëngu nuk zihet sepse substancat vepruese e pakësojnë efektin për shkak të zierjes. Për fëmijët hidhet një lugë kafeje me lule dhe jo një lugë supe.

Veprimin e ruan për 2 vjet në vendet të thata.

48. Kapinoku, bar (Marrubium vulgare, familja Labiatae)

Si drogë shërben pjesa mbitokëzore dhe e tharë e kapinokut (emri tjetër bari i qenit). Është bimë barishtore, shumëvjeçare, e zakonshme në vende të thata, të papunuara, pranë banesave, sidomos në zona fushore. Lulëzon në pranverë-verë.

Droga shton oreksin, lëngëzon gëlbazën; përdoret si zëvendësuese e kininës në malarje; nxit punën e tëmthit;përmirëson rrahjet e shpejta dhe të çrregullta të zemrës; nga jashtë përdoret në formë banje për mjekimin e plagëve të qelbëzuara dhe kundër pezmatimeve.

Dy lugë kafeje me drogën pluhur hidhen në një enë më ujë të sapozier, mbulohet me kapak, lihet 15 minuta. Kullohet dhe pihen 2-3 doza të tilla në ditë.

Mund të pihet dhe si pluhur 3-4 herë në ditë nga 1 gram para buke. Ruhet deri në 2 vjet në vende të thata.

49. Karajpeli (Tanacetum vulgare, familja Compositae)

Si drogë përdoret pjesa mbitokësore ose vetëm lulet , e thara të karajpelit (emra të tjerë krizantemë, rozmarinë e egër, kallamperi etj.) . Është bimë barishtore shumëvjeçare e përhapur buzë rrugëve e livadheve, sidomos në zonën e ahut.

Droga përdoret kundër parazitëve të zorrëve. Ky veprim është më i dobët se i ilaçeve moderne. Këshillohet dhe për shtimin e oreksit, përmirësimin e tretjes, rregullimin e menstruacioneve, në dhimbje të kyçeve.

Doza të larta të bimës mund të jenë helmuese, duhet përdorur nën mbikëqyrje.

1 lugë kafeje hidhet në 2 gota ujë të sapozier, lëngu mbulohet, kullohet dhe pihet mundësisht para buke. Mund të merret dhe si pluhur tri herë në ditë nga një majë thike në pak ujë.

Ruhet deri në 18 muaj në vende të thata.

50. Karrota (Daucus carota)

Si drogë shërbejnë rrënjët e karotës (Daucus carota var. sativa, familja Umbeliferae).

Rrënjët e ziera të karotës këshillohen në diarretë e fëmijëve, sëmundje të mëlçisë, tëmthit, në acarime dhe infeksione të zorrëve.

Nga jashtë përdoret dhe qulli i fituar nga rrënja, për mbylljen e plagëve, zhdukjen e puçrrave dhe mjekimin e djegieve.

51. Kemashen me qime(Hieracium pilosella, familja Compositae)

Si drogë shërben pjesa mbitokësore e lulëzuar, e tharë, e kemashenit me qime , i cili është bimë barishtore shumëvjeçare e zakonshme në zona të ftohta të vendit: në zonat subalpine dhe alpine.

Ka veti të trefishojë urinimin. Përmirëson çrregullimet e shkaktuara nga azotemia . Është e efektshme kundër brucellozës. Shkencëtari J. Guerini pretendon se ulja përfundimtare e temperaturës në të sëmurët nga bruceloza arrihet ditën e parë deri të katërt të kurës me bimën mjekësore. Sa më shpejtë të fillojë mjekimi, sa më e freskët të jetë bima dhe nëse nuk ka ndërlikime të brucelozës aq më efektive është kura.

10 gr drogë përvëlohen në 100 ml ujë të sapovaluar, mbulohet dhe lihet 15 minuta. Çaji kullohet. Industria farmaceutike prodhon dhe ekstrakt të lëngët të kemashenit, i cili është i stabilizuar.

52. Këputja(Equisetum arvense, familja Equisetaceae)

Efektin mjekues e ka pjesa mbitokësore e kërcellit shterp (të verës), e tharë, e këputjes ose e bishtkalit ose hjeksës . Është bimë e zakonshme në vende me lagështi dhe hije, moçale etj.

Rrit sekretimin e urinës, ngordh mikroorganizmat që shkaktojnë sëmundje dhe pagë. Ndihmon formimin e e leukociteve, prandaj forcon imunitetin.

Përdoret në sëmundje të veshkave, të fshikëzës së urinës, në disa sëmundje të zemrës, në cirrocë hepatike, në formë kompresash dhe banjash për plagët; si gargarë në pezmatimin e bajameve.

4 lugë kafeje me drogën pluhur hidhen në enë me ~500 gr ujë. Zihet për 15 minuta. Pihet gjatë ditës.

Ruhet në vende të thata deri në 18 muaj.

53. Kinëfusha, (Erythrea centaurium Pers, familja Gentianaceae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e tharë e kinëfushës (ose e barit të etheve, kantalionit). Është bimë e zakonshme në vende me graminore dhe në lëndina të zonave të ulëta. Lulëzon në maj-shtator.

Shton lëngjet e stomakut, oreksin; ul temperaturën; forcon imunitetin; shton sekretimin e tëmthit; ndihmon në diabet, në ekzemë. Në doza të larta mund të shkaktojë të vjella.

1 lugë çaji në një gotë ujë zihet 5-10 minuta.Çaji kullohet, pihet në dy vakte gjysëm ore para buke.

Ruhet deri në 18 muaj.

54. Kokoçelli(Centaurea cyanus, familja Compositae)

Droga përbëhet nga lulet anësore dhe lulet tubike të kaptinave të luleve të kokoçellit . Është bimë 1 vjeçare. Lulëzon në qershor-korrik.

Ka veprim të lehtë rrudhës dhe antiinflamator dhe përdoret në sëmundjet e syve; nxit urinimin, punën e tëmthit. Përdoret në çajra dhe për shkak të ngjyrës së pëlqyeshme blu.

1 lugë çaji në 1 gotë ujë të sapovaluar. Lihet 15 minuta, pastaj kullohet. Pihen 3 doza të tilla në ditë. Kurse në raportin 5 lugë gjelle çaj në 2 gota ujë mund të përdoret për kompresa në acarime të syve, për mjekimin e qepallave të pezmatuara etj.

Ruhet për 18 muaj.

55. Kopra e egër (Foeniculum vulgare, familja Umbeliferae)

Droga përbëhet nga frytet e thara të koprës së egër (emri tjetër maraj). Është bimë e vendeve të thata barishtore buzë rrugëve, në zonat e ulëta. Lulëzon në qershor-korrik.

Liron ngërçet e muskulaturës së lëmuar, prandaj përdoret kundër fryrjes së zorrëve dhe për përmirësimin e tretjes; shton qumështin e grave; lëngëzon gëlbazën; vepron kundër parazitëve të njeriut dhe kafshëve.

Një lugë çaj me drogë të thërmuar në ½ gotë me ujë të sapozier. Lihet 15-30 minuta. Lëngu kullohet, pihet. Pihen 2 doza të tilla në ditë. Mund të konsumohet dhe si pluhur, 3*1 gram në ditë.

Në doza të larta droga shkakton ngërçe dhe dehje.

Në vende të thata e ruan veprimin për 2 vjet.

56. Koriandri (Coriandrum sativum)

Droga përbëhet nga frytet e thara të koriandrit (Coriandrum sativum, familja Umbeliferae).

Frytet përmbajnë esencë të pasur me linalol, i cili ka veti antibiotike. Nxit funksionimin e stomakut, të zorrëve, ndihmon në nxjerrjen e gëlbazës. Prandaj përdoret për largimin e gazrave, për problemet e stomakut, në rastet e mungesës së oreksit. Lehtëson kollën.

2 lugë çaji me frytë të copëtuara në ½ gotë ujë të sapozier. Lihet 15 minuta, kullohet, pihet. Pihen 2-3 doza të tilla në ditë. Mund të përdoret dhe siç është, duke ngrënë deri 3 lugë me fryte në ditë. Duhet ruajtur nga minjtë, sepse preferohet prej tyre. Në vende të thata ruhet deri në 2 vjet.

57. Kufilma (Symphytum officinale)

Rrënjët e thara të kufilmës (emra të tjerë: kuferma, lulevathi, latinisht Symphytum officinale, familja Boraginaniseae) përdoren si drogë. Është bimë shumëvjeçare, e përhapur në vende të lagështa dhe të freskëta. Lulëzon në maj-korrik.

Ka veprim të lehtë laksativ; nga jashtë qetëson dhimbjet, ndihmon në ripërtëritjen dhe shërimin e plagëve; përdoret kundër kollës etj.

1-2 lugë kafeje me rrënjë kufilme të copëtuara hidhen në 1 gotë ujë dhe përzierja zien 5-10 minuta, lihet në qetësi për 30 minuta. Mund të pihen 1-3 doza të tilla në ditë. Edhe si pluhur mund të përdoret, pihen 1-3 lugë çaj me pluhur rrënje, me pak ujë.

Çaji që përdoret nga jashtë përgatitet më i fortë, raporti është 4-5 lugë kafeje/1 gotë ujë.

58. Kulumbri (Prunus Spinosa)

Lulet dhe frutat e thara të kulumbrisë  (kumrisë, latinisht Prunus Spinosa, familja Rosacea) përdoren si drogë. Është shkurre me gjemba.

Nxit urinimin, të dalët jashtë pa acaruar zorrët. Përdoret veçanërisht në mjekimin e fëmijëve.

2 lugë kafeje me drogë hidhen në 1 gotë ujë të sapozier. Lihet 5-10 minuta. Çaji kullohet, pihet.

59. Kumaku (Calendula Officinalis)

Lulet kaptina, të thara të kumakut (emra të tjerë mërgjyza) përdoren si drogë. Është bimë barishtore shumëvjeçare.Lulëzon qershor-vjeshtë.

Nxit punën e tëmthit, ka veti antibiotike. Nga jashtë shpejton shërimin e plagëve të qelbëzuara, kronike. Përdoret kundër mykut të lëkurës, si qetësuese dhimbjesh dhe në sëmundje të mëlçisë.

2 lugë kafeje me lule hidhen në një gotë ujë të sapozier. Gota mbulohet, lihet e qetë 15 minuta. Lëngu kullohet dhe pihet brenda ditës.

Prej drogës mund të përgatitet tinkturë: 5 lugë gjelle hidhen në 100 ml alkol 70% dhe lihen në të për 8 ditë në temperaturë ambjenti. Pas kësaj lëngu filtrohet. Përdoret për rregullimin e ciklit menstrual nga 30 pika tinkturë*3 herë në ditë, të holluara në pak ujë. Për plagë, djegje, tinktura përzihet me ujë të distiluar ose të valuar dhe të ftohur, në raport 1:10 dhe vihet në formë kompresash.

Droga ruhet për 18 muaj.

60. Kungulli (Curcuma Pepo, familja Cucurbitaceae)

Kungullit i përdoren kryesisht farat, pas këtyre me efekt më të dobët, tuli i frutave.

Farat e kungullit përdoren kundër parazitëve të zorrëve si psh. shiriti, askaridet dhe oksiuret. Farat nuk janë helmuese për njeriun prandaj këshillohen të përdoren edhe tek fëmijët. Kanë veti diuretike.

Hahen 200-250 fara të freskëta, pa lëvozhga. Dy orë pas ngrënjes së farave këshillohet pirja e një doze vaj recini (fëmijët 1-2 lugë kafeje, të rriturit 2-3 lugë gjelle). Vaji i recinit jep diarre, prandaj ndihmon në jashtëqitjen e krimbave.

Veprimi i farave me kalimin e kohës pakësohet, prandaj duhen përdorur fara më të reja se 1 vjeçare.

61. Lajthia (Corylus avellana, familja Corylaceae)

Droga përbëhet nga gjethet dhe lëvorja e degëve të reja, të thara të lajthisë.

Droga qetëson zorrët, ka efekt diuretik, efekt rrudhës, ngushton enët e gjakut etj. Këshillohet në sëmundje të aparatit tretës, në infeksione urinare, në diarre, variçe, hemorroide, hemoragji nga hunda etj.

Pergatitja: Gjethet: 2 lugë kafeje me gjethe të copëtuara hidhen në 1 filxhan çaji me ujë të sapozier, lihet të ftohet. Kullohet, pihet. Merren 2-3 doza të tilla në ditë.

Lëvoret: 2 lugë kafeje me drogë të copëtuar hidhen në 1 filxhan çaji ujë, përzierja zihet 5 minuta, pastaj lihet të ftohet. Çaji kullohet. Përdoren 2 doza në ditë, deri në shërim.

E ruan veprimin për 18 muaj.

62. Lakra e bardhë (Brassica oleracea var. capitata)

Ndihmon veprimtarinë e qelizave të mëlçisë, pengon dhjamosjen e tyre; pakëson kolesterolin në gjak; ka veti rigjeneruese dhe anti-ulçeroze. Prandaj përdoret dhe në ulçerat që vijnë nga sekretimi i kufizuar i stomakut.

Lakrës së freskët i shtrydhet lëngu i cili pihet në sasi ½-1 gotë çaji, 2-3 herë në ditë para ushqimit. Ose sallata e lakrës së freskët konsumohet para ushqimit (në çrregullimet e mëlçisë, të fshikëzës, zorrëve, ulçera, verdhëz).

Gjethet e freskëta të lakrës vendosen mbi kyçet e sëmura nga artriti. Ose: gjethe të shtypura të lakrës përzihen në pjesë të barabarta me ujë dhe me lëng limoni dhe vihen në formë llapaje mbi kyçet e sëmura nga artriti (pakëson enjtjet dhe dhimbjet). Njësoj përdoret dhe për plagë.

Lakra e shtypur dhe e përzier me të bardhë veze rekomandohet dhe për mjekimin e plagëve nga djegja.

63. Leonuri i zemrës (Leonurus cardiaca, familja Labiatae)

Si drogë përdoret pjesa mbitokësore, e lulëzuar dhe e tharë e leonurit të zemrës (ose bishti i luanit) . Është bimë me përhapje të rrallë nga zona e ulët në atë sub-alpine.

Është 3-4 herë më  i efektshëm se rrënja e valerianës dhe ka veti kardiotonike, hipotonike dhe qetësuese. Duhet të përdoret sipas këshillës dhe mbikëqyrjes së mjekut. Këshillohet në rrahje të forta të zemrës, në shtrëngimin e saj, në ngacmime nervore, në raste lëkundjeje, rritjeje të tensionit të gjakut, në çrregullime të menopauzës dhe të urinimit; në angina pectoris.

2 lugë çaji me bar të grimcuar hidhen në 1 filxhan çaji ujë të sapozier, ena mbulohet me kapak dhe përmbajtja lihet ½ ore në qetësi. Lëngu kullohet dhe pihet. Merret 1 dozë e tillë në ditë. Mund të përdoret edhe në formë pluhuri nga 1-2 lugë kafeje në ditë. Ruhet për 18 muaj.

64. Likopësi (Lycopus europaeus, familja Labiatae)

Pjesa mbitokësore e lulëzuar dhe e tharë e likopësit  përdoret si drogë. Është bimë e zakonshme nëpër vende me lagështi dhe kanale. Lulëzon në qershor-tetor.

Përdoret si sedative. Ka efekt pasi përdoret për një kohë të gjatë, për disa muaj rresht nëse është e nevojshme. Nuk është e dëmshme edhe kur përdoret për një kohë të gjatë.

1-2 lugë çaji me drogë të grimcuar hidhen në 1 filxhan çaji ujë të sapozier. Lihet 15 minuta duke e përzier herë pas here. Lëngu kullohet dhe pihet. Merren 1-2 doza në ditë. Ruhet deri në 18 muaj në vende të thata dhe të ajrosura.

65. Limoni (Citrus limonum, familja Rutaceae)

Përdoren frytet e freskëta dhe lëvoret e thara të limonit.

Limoni (lengu)përdoret në sëmundjen e skorbutit, të gushës akute dhe kronike, në reumatizmin artikular; kundër dhembjes së kokës; dhembjeve nevralgjike; për uljen e temperaturës së lartë, sidomos kur kjo shoqërohet me etje dhe me pakësimin e urinimit. Gjithashtu përdoret në formë gargare për lyerjen dhe shpëlarjen e gojës në raste të pezmatimit të saj dhe të fytit; kundër tensionit të lartë dhe aterosklerozës merren disa kokrra në ditë.

Për mjekim përdoret lëngu i 1-3 limonave të shtrydhur. Lëvoret e fryteve përdoren në formë tinkture, e cila përgatitet në këtë mënyrë: 50 gr lëvore hidhen në 100 gra alkole, lihen 8 ditë, pastaj lëngu filtrohet. Pihen 20 pika tinkturë*3 herë në ditë, me pak ujë, pas ushqimit, për të lehtësuar tretjen.

66. Liri (Linum usitatissimum, familja Linaceae)

Si drogë përdoren farat e thata të lirit .

Fara e lirit përmban mucilagje, pektinë, vaj, heterozidin linamarinë, enzima etj. Në sajë të mucilagjeve farat bymejnë vëllimin e përmbajtjes së zorrëve dhe për pasojë nxisin të dalët jashtë. Veprimi laksativ nuk shfaqet menjëherë por pas disa ditësh përdorimi. Farat e plota në formë çaji këshillohen në acarimet e rrugëve urinare dhe të traktit tretës. Fara e pluhurosur e lirit përdoret si llapa zbutëse në qelbëzime dhe pezmatime të lëkurës (ka veti anti-inflamatore).

Perdorimi: Si laksativ: 1-2 lugë supe me fara liri të plota (ose të copëtuara) hidhen në mëngjez në një gotë me ujë të ftohtë dhe lëngu i jargët pihet në darkë pasi kullohet. Farat për të rregulluar kapsllëkun mund të pihen dhe siç janë në dozën 1-2 lugë gjelle në ditë.

Në formën e çajit: hidhen 10-20 gr fara në 1 litër ujë. Përzierja lihet 5 orë duke e përzier herë pas here. Kullohet dhe pihet gjatë ditës në sëmundjet e aparatit tretës, të rrugëve urinare, në acarimet e mukozave të rrugëve të frymëmarrjes.

Nga jashtë: Pluhuri i farave hidhet në pak ujë të ngrohtë dhe valohet derisa përzierja të shndërrohet në brumë. Llapaja e formuar mbështillet në një napë dhe vihet në plagët e qelbëzuara të lëkurës si antiinflamatore. Llapaja e lirit ndihmon daljen e qelbit nga absesi dhe nga të thatët. Ajo qetëson dhimbjet.

Ruhet në vende të freskëta për 2 vjet.

67. Livandoja (Lavandula officinalis, familja Labiatae)

Lulet e thara të livandos (trumzës së butë, ) përdoren si drogë. Lulëzon në korrik-gusht.

Lulet e livandos qetësojnë sistemin nervor, ulin disi tensionin e gjakut, qetësojnë ngërçet e stomakut dhe të zorrëve, përdoren kundër diarresë dhe gazrave; si diuretikë.

3 lugë çaji me lule hidhen në një gotë ujë të sapozier. Përzierja mbulohet me kapak dhe lihet 15-30 minuta. Lëngu kullohet dhe pihet 1 herë në ditë.

Në industri lulet e livandos distilohen me avuj uji për të prodhuar esencën e livandos, e cila përdoret për prodhimin e parfumeve. Esenca përdoret dhe në përbërjen e lëngjeve fërkuese për të qetësuar dhimbjet, kruarjen. Esenca në dozën mbi 1 gr është helmuese.

68. Lulebasani (Hypericum perforatum, familja Hypericaceae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore, e tharë, e lulebasanit (ose lulegjaku, ). Është bimë barishtore shumëvjeçare, e zakonshme në zona të ulëta dhe në vende me barishte.

Bima ka efekte antiseptike dhe përdoret në plagë, puçrra dhe djegje; përdoret nga goja në sëmundjet e aparatit tretës, të mëlçisë, tëmthit, në hemorragjitë e mushkërive dhe të aparatit tretës, në pagjumësi dhe në sëmundje të veshkave. Ajo përmirëson qarkullimin e gjakut dhe qetëson tensionin nervor.

1 lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhet në 2-3 gota me ujë, zihet 5-10 minuta, pastaj çaji kullohet dhe pihet gjatë ditës.

Për mjekimin e lëkurës lulebasani përgatitet si vijon:

500 gr lulebasani i freskët dhe i copëtuar zhytet në 1 kg vaj ulliri dhe 0.5 kg verë të bardhë. Përzierja lihet në qetësi për 3 ditë. Pastaj përzierja ngrohet mbi ujë të valuar (jo drejtpërdrejt në zjarr, në një enë të gjerë derisa vera të avullohet tërësisht. Mbetja vajore me ngjyrë në të kuqe ruhet në shishe të vogla (10-20 gr) të mbyllura mirë dhe përdoret në formë kompresash, duke vendosur copa pëlhure të njomura me vaj mbi sipërfaqet e dëmtuara të lëkurës. Kjo ka veprim qetësues, të lehtë por të vazhdueshëm si dhe ndihmon ripërtëritjen e indeve.

Vaji mund të përgatitet edhe pa verë si vijon: 100 gr bimë e lulëzuar e freskët hidhet në një shishe ku shtohen 250-400 gr vaj ulliri, ose vaj liri, ose vaj luledielli. Shishja me përzierjen lihet 14 ditë në vend me diell, duke e tundur herë pas here. Në vazhdim vaji kullohet dhe përdoret siç treguam më sipër.

Droga ruhet në vende të thata deri në 18 muaj.

69. Luledelja (Bellis Perennis, familja Compositae)

Lulesat kaptina të thara të luledeles (ose luleshqerra, luledhenve), shërbejnë si ilaç. Lulëzon mars-tetor.

Ka veti rrudhëse dhe ekspektorante të lehta, prandaj këshillohet në sëmundje të mushkërive dhe pezmatime të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

Përdorimi: 1 lugë çaji me lulet e thara hidhet në ½ gotë ujë të sapozier. Përzierja mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta, kullohet. Pihen 1-3 doza të tilla në ditë.

Në vende të thata e ruan veprimin deri në 2 vjet.

70. Luledielli (Helianthus annuus, familja Compositae)

Droga përbëhet nga lulet e thara të lulediellit (Helianthus annuus, familja Compositae).

Lulet ulin temperaturën e lartë; përdoren në shqetësime nervore, në çrregullime të stomakut etj.

1 lugë gjelle me lulet e thara hidhet në 1 gotë me ujë të sapozier, mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta. Kullohet. Pihen 1-2 doza të tilla në ditë. Droga e ruan veprimin për 2 vjet.

71. Lulëkuqja (Papaver rhoeas, familja Papaveraceae)

Petalet e thara të lules së lulëkuqes përdoren si ilaç. Lulëkuqja lulëzon mars-korrik.

Droga nuk ka morfinë. Droga qetëson kollën, heq ngacmimin e kollës. Përdoret kryesisht tek fëmijë me pezmatim të bronkeve dhe me sëmundje të mushkërive.

Përdorimi;

2 lugë çaji hidhen në ½ gotë ujë që zien. Ena mbulohet me kapak dhe lihet gjysëm ore. Lëngu kullohet dhe pihet i ëmbëlsuar. Pihen 1-3 doza të tilla në ditë. Droga e ruan veprimin për 18 muaj.

72. Lulelepuri (Pulmonaria officinalis, familja Boraginaceae)

Pjesa mbitokësore e lulëzuar, e tharë e lulelepurit  përdoret si drogë. Lulelepuri është bimë që gjendet në pyje  eshkurre të zonës alpine dhe subalpine. Lulëzon në mars-maj.

Qetëson pezmatimet, kollën, rrit aftësinë mpikëse të gjakut, ndihmon sekretimin e lëngjeve nga organizmi. Prandaj përdoret si ekspektorant, në bronshit, në sëmundje të mushkërive dhe në menstruacione të vështira. Lulelepuri përdoret si diuretik. Ka aftësi të ripërtërijë indet e humbura, prandaj përdoret për mjekimin e plagëve të ndryshme.

Përdorimi:

1-2 lugë supe me drogë të grimcuar hidhen në 1 enë me ½ litër ujë të sapozier. Lihet të rrijë 15 minuta, kullohet dhe pihet gjatë ditës. Veprimin e ruan për 2 vjet.

73. Luleshtrydhe (Fragaria vesca, familja Rosaceae)

Droga përbëhet nga gjethet e thara të luleshtrydhes. Lulëzon në maj-qershor.

Gjethet e luleshtrydhes përdoren në infeksionet e mukozës së zorrëve që shoqërohen me heqje barku, kundër gurëve të apartatit urinar dhe në sëmundje të veshkave. Nga jashtë çaji i drogës përdoret në kompresa për hemorroide të gjakosura, për shpëlarjen e gojës së infektuar dhe me erë të keqe, kundër ekzemës etj.

Përdorimi:

Në rastet e rënda të heqjes së barkut 100-300 gjethe të njoma (ose 20-60 gr gjethe të thata) hidhen në 1 litër ujë dhe zihen. Lëngu kullohet dhe pihet me lugë gjelle çdo 1 orë. Droga e ruan veprimin deri në 2 vjet.

74. Llopoi (Petasites hybridus, familja Compositae)

Droga përbëhet nga rizoma dhe nga gjethet e thara të llopoit . Është bimë barishtore shumëvjeçare që takohet buzë përrenjv. Lulëzon në mars-prill.

Ka veti spazmolitike prandaj përdoret si qetësuese e kollës; si qetësuese e ngërçeve në kollën e bardhë, në sindromin premenstrual. Nga jashtë përdoret në mjekimin e majasëllit dhe të plagëve që shërohen me vështirësi.

Përdorimi: 1 lugë çaji me drogë rizom të grimcuar zihet në 1 filxhan ujë për 5 minuta dhe lihet të ftohet. Kullohet dhe pihen 3 doza të tilla në ditë. Mund të pihet dhe si pluhur 3 herë në ditë nga 1 lugë kafeje. Në vende të thata dhe të ajrosura droga e ruan veprimin për 18 muaj.

75. Majdanozi (Petroselinum hortense, familja Umbelliferae)

Bimës së majdanozit i përdoren frytet, rrënjët dhe gjethet.

Bima përdoret si stimuluese e nervave dhe e muskujve, përmirësuese e oreksit, e tretjes,rregulluese e menstruacioneve, diuretike, për largimin e gazrave si dhe në mjekimin e plagëve. Pakëson qumështin në nënat me fëmijë në gji. Në doza të larta shkakton trullosje.

Si çaj përdoret duke zier 6o gr rrënjë në 1 litër ujë dhe pirë 1 filxhan kafeje pas buke.

Ose ½ lugë çaji me fryte të copëtuara hidhen në 1 gotë ujë të sapozier, lihen 30 minuta, kullohet dhe pihet gjatë ditës.

Ose 1 lugë me gjethe të grimcuara hidhen në 1 gotë ujë të sapozier, lihet ½ orë. Kullohet dhe pihen 3 doza të tilla në ditë.

Si llapa përdoret duke zier majdanozin në verë. Vendi i dëmtuar lyhet 3 herë në ditë me alkool dhe pastaj mbulohet me llapa. Llapaja vendoset e ngrohtë në vendin e goditur.

Veprimin në vende të thata e ruan për 2 vjet.

76. Majdanozi i egër (Adiantum capillus-veneris, familja Polypodiaceae)

Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e tharë e fierit, ose ndryshe e majdanozit të egër. Takohet në zona fushore, në vende me hije dhe lagështi.

Nxjerr gëlbazën nga rrugët e frymëmarrjes dhe mushkëritë si dhe këshilohet si diuretik për gurët në rrugët urinare. Për nxjerrjen e gëlbazës përgatitet si vijon: 1 lugë çaji me drogë të grimcuar hidhet në 1 gotë ujë të sapozier, mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta duke e përzier herë pas here. Kullohet dhe pihet e ngrohtë. Merren 1-3 doza në ditë.

Kurse si diuretik: hidhen 2 lugë gjelle drogë në 2 gota me ujë, zihet përmbajtja. Lëngu ndahet në 3 pjesë dhe pihet gjatë ditës.

Në vende të thata e ruan veprimin për 2 vjet.

77. Manaferra (Rubus fruticosus, familja Rosaceae)

Gjethet e thara të manaferrës kanë veti shëruese. Përdoren kundër hemorragjive të brendshme, diarresë dhe hemorroideve. Si gargarë përdoret kundër mahisjes së fytit, faringjitit, aftës dhe acarimit të mishrave të dhëmbëve..

2 lugë kafeje me drogë të grimcuar zihen në 15 minuta në 1 gotë me ujë, lihet në qetësi për ca kohë pastaj kullohet dhe pihen 2-3 doza të tilla në ditë.

78. Mani (Morus Nigra, Morus Alba, familja Moraceae)

Gjethet e thara dhe frytat e freskëta të manit të zi dhe të bardhë  kanë veti shëruese. Gjethet kanë veti rrudhëse, anti-diabetike, diuretike, hipotensive dhe zbutëse të kollës. Frytet e manit janë laksative të lehta.

1 lugë me gjethe të thata të copëtuara hidhen në 1 filxhan çaji ujë të sapozier. Mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta, pastaj kullohet. Pihen 1-3 doza të tilla.

Ruhet deri në 18 muaj.

79. Manushaqja (Viola Odorata, familja Violaceae)

Rrënjët dhe gjethet e thara të manushaqes ose të vjollcës  kanë veti shëruese. Gjethet dhe lulet e njoma janë të ngrënshme (shiko http://www.pfaf.org/user/Plant.aspx?LatinName=Viola+odorata) Rritet në vende me hije.

Rrënja dhe gjethet kanë alkaloidin violinë i cili nxit të vjellët, alkaloidin odoratinë që ul tensionin e gjakut, saponina si dhe pak esencë. Saponinat lehtësojnë nxjerrjen e gëlbazës. Nga jashtë përdoret në formë banjash në plagët që shërohen me vështirësi. Së bashku me bishtkalin përdoret në majasëll.

1 lugë me drogëtë grimcuar hidhet në ½ gotë ujë. Përzierja mbulohet me kapak dhe lihet 6 orë. Përzihet herë pas here. Lëngu kullohet dhe pihet. Pihen 1-2 doza në ditë. Ose përgatitet duke zier 1 gotë ujë me 1 lugë drogë derisa të mbetet gjysma e lëngut. Për nxitjen e të vjellave në vend të një luge droge hidhen 2-3 lugë gjellë drogë.

80. Manushaqja e egër (Viola tricolor)

E gjithë bima e lulëzuar, e tharë e manushaqes së egër (emra të tjerë menekshe e Stambollit, surratka e egër). Rritet në vende barishtore të thata. Lulëzon në prill-vjeshtë.

Lëhtëson kollitjen, urinimin, vepron kundër reumatizmit. Këshillohet si ekspektorante në sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes, në kollën e bardhë, në sëmundje të fshikëzës së urinë; në reumatizëm dhe podagër.

2 lugë çaji me drogë të grimcuar hidhen në një gotë me ujë të sapovaluar. Përmbajtja mbulohet me kapak, tundet herë pas here dhe lihet 15-20 minuta. Kullohet dhe pihet. Merren 2-3 doza të tilla në ditë. Ekstrakti alkolik i drogës ka veprim më të fuqishëm se çaji. Droga zakonisht përdoret e përzier me droga të tjera.

Droga e ruan veprimin për 2 vjet.

81. Manxurana (ose majorana, latinisht Majorana hortensis Moench., familja Labiatae)

Bima e tërë, pa kërcell shërben si drogë.Lulëzon në qershor-gusht.

Ndihmon tretjen, urinimin. Në doza të larta ka veprim të lehtë trullosës. Prandaj përdoret si qetësuese e lehtë, diuretike, stomatike, spazmolitike, në dobësi nervore, në sëmundje të organeve tretëse, në të ftohur etj. Manxurana zakonisht pihet bashkë me kamomilin dhe mendrën. Është i ngjashëm me rigonin në përdorimet e tij. Në formë llapaje përdoret për mjekimin e plagëve.

1 lugë kafeje me drogë të grimcuar hidhen në një gotë ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe përzierja zihet 5-10 min. Kullohet; pihen 2-3 doza të tilla në ditë. Ruhet deri në 18 muaj.

82. Mareja (Arbutus unedo, familja Ericaceae)

Gjethet e thata të maresë (koçimares) përdoren si drogë. Është shkurre ose dru deri në 10 metra i lartë.

Ka veti rrudhëse dhe antiseptike. Përdoret kundër diarresë, pezmatimit të mëlçisë dhe për dizinfektimin e rrugëve të urinës.

20 gr drogë  e grimcuar hidhen në 500 gr ujë të sapozier; ena mbulohet me kapak dhe përzierja lihet 15-30 minuta; kullohet . Pihen 3-4 filxhanë kafeje në ditë. Në raste diarreje çaji zihet 10 minuta. Çaji ruhet për deri 18 muaj.

83. Melakja (Geum urbanum, familja Rosaceae)

Rizoma e tharë e melakes ose geumit të qyteteve përdoret si drogë. Bima rritet në vende të freskëta dhe me hije. Lulëzon në maj-qershor.

Droga përdoret si dizinfektuese, anestezike e lehtë; për ndalimin e diarresë, kundër fryrjes së zorrëve; për gargarë në pezmatime të zgavrës së gojës; për banja në hemorroide dhe sëmundje të lëkurës.

2 lugë çaji me drogë të copëtuar hidhen në ½ gotë ujë. Ena mbulohet me kapak, përzierja zihet 15 minuta, pastaj kullohet dhe pihet. Pihen 2 doza të tilla në ditë; në mëngjez dhe darkë. Mund të përdoret dhe në formë pluhuri në dozën 2-3 gram drogë e pluhurosur*3 herë në ditë. Ruhet deri në 2 vjet.

84. Mëlqinja (Berberis vulgaris, familja Berberidaceae)

Lëvorja e rrënjëve dhe frytet e thara të bimës përdoren si drogë. Bima haset në vende të shkreta të maleve gëlqerore. Frutifikon në gusht-shtator.

Ka veti laksative, diuretike, koleretike, spazmolitike dhe përdoret në sëmundje të veshkave, në gurë të veshkave, në pezmatime të rrugëve urinare (sipas këshillës së mjekut). Tejkalimi i dozës mund të dëmtojë veshkat si dhe mund të japë përgjumje, të vjella, diarre etj. Frytet përdoren në përgatitjen e çajrave të pasur me vitaminë C.

1 lugë çaji me drogë lëvoreje të grimcuar hidhet në 2 filxhanë çaji ujë dhe zihet 5-10 minuta. Çaji kullohet dhe pihet gjatë ditës i ndarë në 3 pjesë. Droga ruhet deri në 18 muaj.

85. Mendra e butë (Mentha piperita, familja Labiatae)

Gjethet e thara të dhiozmës, ose mendrës së butë shërbejnë si drogë.

Përdoret për qetësimin e sistemit nervor, për largimin e gazrave të zorrëve, kundër diarresë, për nxitjen e zbrazjes së fshikëzës së tëmthit, kundër marrjes së mendjes etj.

Një lugë supe me mendër hidhet në 2 gota me ujë të sapovaluar. Përzierja mbulohet me kapak dhe lihet 5-10 minuta duke e tundur herë pas here. Gjatë ditës pihen 2-3 doza të tilla. Droga e ruan veprimin për 2 vjet.

86. Mersina (Myrtus communis, familja Myrtaceae)

Gjethet e thara të bimës shërbejnë si drogë. Është bimë shumë e përhapur

Përdoret në sëmundje të aparatit të frymëmarrjes, kundër diarresë, majasëllit. Lehtëson sëmundjen e diabetit.

15-30 gjethe të copëtuara hidhen në 1 litër ujë dhe zihen për 5 minuta. Ena mbulohet me kapak, lihet në qetësi për 15 minuta, pastaj kullohet përmbajtja dhe prej lëngut pihen 4-6 lugë gjelle në ditë. Droga e ruan veprimin për 18 muaj.

87. Mëllaga (Malva silvestris, familja Malvaceae)

Gjethet dhe lulet e thara të mëllagës shërbejnë si drogë.

Përdoret në sëmundje të aparatit tretës, të aparatit urinar. Nga jashtë përdoret për larje, gargarë, kundër acarimeve të lëkurës dhe të mukozave. Përdoret dhe për të shëruar difekte të mukozës së stomakut dhe të zorrëve. Ka veti absorbuese sikurse qymyri shtazor.

2 lugë çaji me drogë hidhen në 1 gotë ujë të sapozier dhe lihen 15-30 minuta. Pihen 2-3 gota në ditë. Droga ruhet deri në 18 muaj.

88. Mëllaga e bardhë (Althaea officinalis, familja Malvaceae)

Rrënjët e prera, të qëruara dhe të thara, si dhe gjethet e mëllagës ose mollohires shërbejnë si drogë. Bima rritet zakonisht në zonat e ulëta, në vende më lagështi.

Droga përdoret kundër pezmatimit të rrugëve të frymëmarrjes dhe të fytit, për të lehtësuar nxjerrjen e gëlbazës; për të shpëlarë fytin dhe hundën; në pezmatime të rrugëve urinare dhe të zorrëve; në diarre.

Ndryshe nga çajrat e tjerë çaji i mëllagës së bardhë përgatitet duke e hedhur drogën në ujë të ftohtë. 1 lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhen në një gotë ujë dhe përzierja lihet 6 orë. Pihen doza të tilla disa herë në ditë. Njësoj përgatitet çaji për gargarë dhe bëhet gargarë disa herë në ditë. Çaji i rrënjëve mund të përgatitet dhe duke hedhur drogën e grimcuar në ujë të përvëluar.

Përdoren dhe lulet e mëllagës së madhe (Althaea rosea) si zbutëse në bronkit; si laksative të lehta; kundër kollës. Çaji i kësaj bime përgatitet duke zier 2 lugë gjelle lule në 1 gotë ujë. Pihen 2-3 doza të tilla në ditë.

Drogat e ruajnë veprimin për 2 vjet.

89. Mështekna (Betula verrucosa, familja Betulaseae)

Si drogë shërbejnë gjethet dhe sythet e thara të mështeknës ose krahjetës. Bima takohet në veri të vendit, në zonën e ahut.

Përdoret si diuretike; në albuminuri; në gurët e veshkave, në reumatizëm, në gutë; në dhembje të kyçeve; në sëmundje të mëlçisë etj.

2-3 lugë çaji me drogë hidhen në 1 gotë ujë të sapozier. Përzierja mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta. Lëngu kullohet dhe pihet. Nëse shtojmë një majë thike me sodë buke efekti i çajit shtohet. Pihen 2 doza të tilla në ditë. Droga e ruan veprimin deri në 18 muaj.

90. Mëtriku (Vinca major, familja Apocynaceae)

Pjesa mbitokësore e lulëzuar e tharë e metrikut (ose menekshe gomari) shërben si drogë.

Droga përdoret për ndalimin e hemorragjive me origjinë të ndryshme; përdoret në pezmatimet e mukozës së zgavrës së gojës; në pezmatimet e bronkeve, të mushkërive; të aparatit tretës; të aparatit gjenitourinar; për pakësimin e qumështit të gjirit; për gargarë në acarimet e gojës dhe të fytit; në shërimin e ekzemës dhe sëmundjeve të tjera të lëkurës.

1 lugë çaji me drogë të grimcuar hidhet në 1 filxhan ujë të sapozier dhe përmbajtja lihet 15 minuta. Merren 2 doza të tilla në ditë. Nga jashtë droga përdoret si valesë duke zier 5 minuta 6 gr drogë të grimcuar në 1 filxhan ujë.

91. Milca (Melissa officinalis)

Gjethet e thara të milcës (barit të bletës) shërbejnë si drogë. Bima është e zakonshme tek ne.

Droga ndihmon punën e tëmthit; ul tensionin e lartë të gjakut; përdoret kundër pagjumësisë; në ngërçet e stomakut etj.

1 lugë supe me drogë të grimcuar hidhet në 2 gota ujë të sapovaluar. Përmbajtja lihet 5-10 minuta duke e tundur herë pas here. Pihen 2-3 gota të tilla në ditë. Droga e ruan veprimin për 2 vjet.

92. Misri (Zea mays)

Mustaqet e misrit nxisin urinimin dhe përdoren në cistitet kronike. Droga ndihmon në tretjen e gurëve të veshkave me përjashtim të gurëve oksalate. Droga shton punën e tëmthit;  pakëson hemorragjinë. Të sëmurët nga zemra duhet të kenë kujdes në përdorimin e drogës sepse ajo ngacmon muskulaturën e saj si dhe rrit tensionin e gjakut.Poleni i luleve të misrit përdoret në sëmundje të prostatës.

3 gr drogë hidhen në 1 gotë ujë të ftohtë dhe përmbajtja zihet 5 minuta. Lëngu kullohet dhe pihet; merren 2-3 doza të tilla në ditë. Poleni përdoret në këtë mënyrë: 1 lugë gjelle me polen dhe 1 lugë gjelle me mjaltë përzihen në ½ gotë me ujë mineral . Lëngu pihet 1 herë në ditë, në mëngjez esëll.

93. Mjedhra (Rubus idaeus)

Gjethet dhe frytet e thara të mjedhrës (malinë, dredhëzë, manaferrë e butë) përdoren si drogë.

Droga rrudh mukozën e zorrëve prandaj përdoret kundër diarresë. Përdoret dhe si diuretike dhe si kolagoge e lehtë. Frytet përdoren për të nxitur djersitjen në rastet me temperaturë që vijnë nga të ftohtët.

1 lugë supe me gjethe të thata të grimcuara hidhet në 1 gotë ujë dhe zihet. Merren 1-3 doza të tilla. Çaji i fryteve përgatitet njësoj. Droga e ruan veprimin për 2 vjet.

94. Murrizi (Crataegus oxyacantha, familja Rosaceae)

Droga përbëhet nga lulet me gjethe dhe frytet e thata të murrizeve dy dhe njëbërthamshe.

Droga ka veti qetësuese; ulin tensionin e gjakut; përdoren në forma të lehta të pamjaftueshmërisë së koronareve; në dëmtimet e zemrës pas sëmundjeve infektive etj. Droga vepron pas një kohe të gjatë.

2 lugë çaji me drogë të grimcuar hidhen në 1 filxhan çaji me ujë të sapozier. Ena mbulohet dhe lihet të ftohet. Merren 2-3 doza të tilla në ditë. Droga e murrizit përgatitet dhe si tinkturë: 20 drogë e grimcuar hidhen në 100 gr alkol 60 gradësh, mbahen në një shishe. Pas 10 ditësh kullohet përmbajtja. 20-25 pika lëng në pak ujë pihen 3 herë në ditë. Droga e ruan veprimin për 18 muaj.

95. Nejça e përdredhur (Polygonum bistorta, familja Poligonaceae)

Rizomat e thara të bimës përdoren si drogë. Bima rritet në livadhe me lagështi në zonën subalpine.

Përdoret kundër diarresë. Ka shumë tanine, aq sa lëvorja e dushkut, frytet e boronicës. Shërben si mjet rrudhës dhe jargëzues në pezmatimet e zorrëve; në formë gargare në pezmatimet e zgavrës së gojës dhe të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

1-2 lugë çaji me drogë hidhen në ½ gotë ujë të sapozier. Përzierja mbulohet me kapak dhe lihet 30 minuta; lëngu kullohet dhe pihet. Merren 2-3 doza të tilla në ditë deri në normalizimin e gjendjes. Droga e ruan veprimin për 2 vjet.

96.Nejça si piper uji (Polygonum hydropiper)

 

Pjesa mbitokësore e lulëzuar dhe e tharë e bimës shërben si drogë. Bima rritet si bar i keq në vende me lagështi. Është e zakonshme në zonën e Korçës. Gjethet e freskëta të saj kanë shije shumë djegëse e cila zhduket kur ato thahen. Lulëzon në qershor-tetor.

Droga ka veti të lehta ekspektorante, ka veti rrudhëse dhe antiseptike (në sajë të tanineve që përmban), veti antihemorragjike (në sajë të vitaminës K). Si ekstrakt i lëngët përdoret në metroragji, si diuretik dhe hipotensiv. Në formë pervalese përdoret në pezmatimet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, në kollën e bardhë etj. Përdoret dhe nga jashtë për lehtësimin e pezmatimeve dhe dhimbjeve të kyçeve; në artroza dhe sëmundje të lëkurës.

Një lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhet në 1 l ujë të sapozier dhe lihet 15 minuta. Pihen 2-3 gota çaji në ditë.

97. Nerënxa (Citrus Amara Lamk., familja Rutaceae)

Lëvoret e fryteve të thara të nerënxës shërbejnë si ilaç. Lëvoret e nerënxës përdoren për hapjen e oreksit, në dispepsi, në ethe etj.

30 gr drogë e grimcuar hidhen në 100 gr alkol 80O.Përmbajtja lihet 2 javë duke e tundur herë pas here. Pas 2 javëve lëngu kullohet. Kundër dhimbjeve të stomakut dhe të zorrëve pihen 30 pika në pak ujë. Për hapje oreksi pihen 15-20 pika në 1 filxhan ujë, gjysëm ore para buke.

Lulet e nerënxës përdoren si qetësuese në fëmijët që vuajnë nga pagjumësia. Çaji përgatitet nga 5 gr lule të thara të cilat hidhen në 1 filxhan çaji me ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet për 15 minuta. Çaji kullohet dhe pihet para gjumit.

98. Netulla (Verbascum phlomoides, Verbascum thapsiforme, familja Scrophulariaceae)

Verbascum thapsiforme

Kurora e luleve të thara të bimëve (emra të tjerë llapushe, lulepeshku) shërbejnë si ilaç. Bimët takohen në zonën subalpine.Lulëzojnë në qershor-shtator.

Droga lehtëson kollitjen, përdoret kundër pezmatimeve të gojës dhe të fytit, në pezmatimet e bronkeve, në bronkit azmatik, në kollën e bardhë.

3-4 lugë çaji hidhen në një gotë ujë të sapozier; ena mbulohet me kapak dhe lihet për 15 minuta duke e përzier herë pas here. Lëngu kullohet nga qimet e luleve dhe lëngu pihet gjatë ditës i ndarë në 2-3 doza. Droga prishet nga lagështira. Ajo duhet të ketë ngjyrë të verdhë floriri. Në lagështi prishet brenda 3 muajve. Në vende të thata e ruan veprimin për 2 vjet.

99. Opiumi

 

Në Shqipëri kultivimi dhe konsumi i opiumit është i paligjshëm. Besoj me leje nga Ministria e Brendshme mund të kultivohet për të furnizuar industrinë farmaceutike me lëndë të parë.

Si ilaç përdoret lëngu i frutit të opiumit dhe substancat e derivuara prej tij (morfina, kodeina). Opiumi ka 12% morfinë.

Kultivimi i opiumit për ushqim dhe anestezi daton që në epokën e re të gurit (neolitike). Perandoritë sumeriane, asiriane, egjiptiane, indiane, greke, romake, persiane dhe arabe e përdornin gjerësisht opiumin në kirurgjinë antike, sepse ishte bima mjekësore më potente për qetësimin e dhimbjeve. Mjekët e dëgjuar arabë të mesjetës i vinin pacientët në anestezi të përgjithshme duke u vënë nën hundë sfungjer të regjur me bimë mjekësore qetësuese, ndër to dhe opiumi (shiko http://en.wikipedia.org/wiki/History_of_general_anesthesia).

Farat e opiumit në kuzhinën e disa vendeve përdoren në ëmbëlsira. Ato zakonisht kaurdisen dhe bluhen përpara përdorimit.

Foto: ëmbëlsirë polake me fara opiumi

100. Parietarja mjekësore (Parietaria officinalis, familja Urticaceae)

Pjesa mbitokësore, e lulëzuar e tharë e bimës (emër tjetër karafilegjen) shërben si drogë. Është bimë e zakonshme nëpër mure, gjerdhe. Lulëzon në pranverë-vjeshtë.

Droga ka veti të theksuara diuretike; veti zbutëse dhe cikatrizuese. Përdoret si diuretik në gurët e fshikëzës, rërës, në nefri, cistit etj. Në formë llapaje përdoret për mjekimin e plagëve dhe gjinjve të plasaritur.

1 lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhet në 1 gotë ujë të sapozier; mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta duke e përzier herë pas here. Lëngu kullohet dhe pihet. Merren 3 doza të tilla në ditë.

Për mjekimin e plagëve dhe të gjinjve merren 2 grushta me gjethe të njoma të bimës dhe zihen me një gotë qumësht derisa të avullojë lëngu. Mbetja shtypet, mbështillet me napë dhe vihet mbi plagë. Mjekimi bëhet 2 herë në ditë. Droga ruhet deri në 2 vjet.

101. Pata (Polygonum aviculare, familja Polygonaceae)

Pjesa mbitokësore e barit të patës (ndryshe nejça e zogjve) shërben si drogë. Bima është e zakonshme si bar i keq.

Droga përdoret si mjet rrudhës kundër heqjes së barkut; si nxitëse e urinimit; për ndërprerjen e gjakut veçanërisht në hemorragjitë e mitrës; në sëmundjet dhe gurët e veshkave; në reumatizëm; në ekzemë; për lehtësimin e kollitjes.

3 lugë çaji me drogë të grimcuar hidhen në 1 gotë ujë të sapovaluar. Ena mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta të ftohet. Lëngu kullohet dhe pihen 2-3 gota çaji në ditë. Në formë pluhuri merret 3 herë në ditë nga 1 lugë kafeje e shoqëruar me ujë. Droga ruan veprimin deri në 2 vjet.

102. Pelini (Artemisa absinthium, familja Compositae)

Pjesa mbitokësore e tharë e pelinit shërben si drogë. Pelini është i hidhur prandaj përdoret për shtimin e lëngjeve të stomakut dhe për përmirësimin e punës së mëlçisë. Esenca e pelinit ka veti antiseptike. Pelini në doza të mëdha është i helmët dhe mund të dëmtojë trurin. Nuk duhet përdorur nga gratë shtatëzëna.

1-2  lugë kafeje drogë e copëtuar hidhen në ½ gotë ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta të ftohet, pastaj përzierja kullohet dhe çaji pihet disa herë gjatë ditës, me lugë, gjysëm ore para buke. Mund të merret dhe si pluhur, 3 herë në ditë nga 1 gr para buke. Droga e ruan veprimin për 18 muaj.

103. Pelini i zi (Artemisa vulgaris, familja Compositae)

Pelini i zi në krahasim me të bardhin ka më pak hidhëtinë dhe esencë jo aq të dëmshme. Droga përdoret për rritjen e oreksit; normalizimin e çrregullimeve të menstruacioneve; kundër parazitëve të zorrëve. Droga nuk duhet të merret në doza të larta dhe për një kohë të gjatë sepse shkakton helmim që shoqërohet me rënien e tensionit të gjakut dhe me ngadalësimin e ritmit të rrahjeve të zemrës.

1-2 lugë çaji me drogë të grimcuar hidhen në ½ litër ujë të sapozier. Përzierja lihet 15 minuta, kullohet dhe pihet disa herë në ditë para buke, me lugë gjelle. Droga ruhet deri në 2 vjet.

104. Pisha (Pinus sylvestris)

Sythet e pishës shërbejnë si drogë. Droga përdoret në kollë, bronkit; si mjet diuretik në pielit; cistit e uretrit. Nga jashtë sythet e pishës përdoren në banja me veprim antiseptik dhe cikatrizues.

1 lugë kafeje me sythe hidhen në 1 gotë me ujë të sapozier. Përzierja mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta; kullohet. Pihen 2-3 doza të tilla në ditë.

Rrëshira vajore e pishës përdoret për mbylljen e plagëve dhe si mjet baktericid duke e vendosur drejtpërdrejt në plagë. Droga e ruan efektin deri në 18 muaj.

105. Pjepri i egër (Ecballium elaterium Rich., familja Cucurbitaceae)

Është një bimë e rrallë tek ne. Lëngu i fryteve para pjekjes së tyre të plotë shërben si drogë. Lëngu lihet në qetësi, pas një farë kohe në fund të enës bie një llum i cili përdoret si ilaç.

Droga ka veti purgative shumë të fuqishme prandaj përdoret vetëm me këshillën dhe nën mbikëqyrjen e mjekut.

106. Plepi i zi (Populis nigra, familja Salicaceae)

Sythet dhe lëvoret e degëve të plepit të zi përdoren si ilaç. Droga është diuretike, rrudh mukozat, është antiseptike. Sythet e plepit të zi përdoren nga jashtë si pomadë në majasëll dhe djegje.

1-2 lugë çaji me sythe të grimcuara hidhen në 1 filxhan çaji me ujë të sapozier. Përmbajtja lihet 15 minuta, pastaj kullohet. Pihen 2 doza të tilla në ditë.

Kurse çaji i lëvoreve përgatitet si vijion: 2 lugë çaji me drogë të copëtuar zihen në 1 filxhan çaji ujë për 10 minuta. Pastaj ena lihet 15 minuta e mbuluar. Përmbajtja kullohet. Pihen 2 doza të tilla në ditë.

Pomada përgatitet si vijon: 20 sythe të copëtuara hidhen në 1 lugë gjelle alkool të përqendruar. Ena lihet e mbuluar për 24 orë. Alkoli i shtohet 100 gr dhjam derri të freskët dhe 5 gr dyll bletësh. Përzierja vihet në banjëmari që të shkrijë. Pas shkrirjes përzierja kullohet në napë dyshe dhe përzihet mirë që të bëhet e njëtrajtshme.

107. Podiqja (Agrimonia eupatoria, familja Rosaceae)

Pjesa mbitokësore e lulëzuar dhe e tharë e bimës (emër tjetër i bimës kallare) shërben si drogë. Droga ka veti rrudhëse, disinfektuese, nxit rrjedhjen e tëmthit, urinimin. Prandaj përdoret kundër diarresë, sëmundjeve të mëlçisë, të verdhit, sëmundjeve të rrugëve të tëmthit, çrregullimeve të tretjes; për shpëlarjen e hundës; për gargarë në pezmatimin e gojës, të bajameve; në sëmundje të lëkurës. Në plagë mund të vihet direkte bima e freskët dhe e shtypur, pasi është pastruar më parë.

1 lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhet në 1 gotë ujë të sapozier. Përzierja lihet ½ ore duke e tundur herë pas here; kullohet dhe pihet. Pihen 2-3 doza të tilla në ditë. Kura vazhdon deri në përmirësimin e gjendjes. Droga e ruan veprimin për 2 vjet.

108. Polipoda (Polypodium vulgare, familja Polypodiaceae)

Kërcelli nëntokësor i tharë i bimës shërben si drogë. Droga përdoret kundër parazitëve të zorrëve; ndihmon rrjedhjen e tëmthit; ka veti të lehta laksative; përdoret si ekspektorante.

1 lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhet në 1 gotë ujë të sapozier dhe lihet për 15 minuta duke e përzier herë pas here. Kullohet dhe pihet.

Droga mund të merret dhe në formë pluhuri, 3 herë në ditë nga 1-2 gr rizomë-pluhur.

109. Prasi (Allium Porrum, familja Liliaceae)

Gjethet e freskëta të prasit kanë veti kurative. Sikundër qepa ato kanë veti bakteriostatike; nxisin tretjen e ushqimit nga zorrët, ulin presionin e gjakut; janë diuretike. Farat e shtypura të preshit, të ziera në verë të bardhë përdoren kundër rërës në veshka.

110. Pulithi (Senecio vulgaris, familja Compositae)

Bari i lulëzuar i thatë i pulithit (emra të tjerë rrexuall, bari i gardalinave) shërben si drogë. Lulëzon në shkurt-dhjetor. Bima përdoret rrallë për të qetësuar ngërçin e muskulaturës së lëmuar dhe për të ndaluar rrjedhjen e gjakut, si psh. Në probleme gjinekologjike, pas heqjes së dhëmbëve, bajameve etj. Pulithi është helmues nëse nuk merret sipas rekomandimit.

111. Purqarku (Nasturtium officinale)

Pjesa mbitokësore e lulëzuar, e freskët e bimës (emër tjetër: shelp) shërben si drogë. Është bimë që rritet në vende me lagështi. Lulëzon në prill-shtator.

Droga përdoret si burim vitaminash, për nxitjen e oreksit, përmirësimin e çrregullimeve të aparatit tretës; për shtimin e prodhimit të tëmthit; kundër gurëve të tëmthit; në sëmundjet e rrugëve biliare.

Bima e freskët bëhet sallatë ose shtrydhet dhe lëngu i shtrydhur pihet 3 herë në ditë nga 3 lugë gjelle e holluar në 1 gotë ujë. Lëngu i bimës mund të pezmatojë mukozën e fshikëzës së urinës prandaj përdoret me kujdes. Për të forcuar mishrat e dhëmbëve, si dhe për të nxitur formimin e pështymës, përtypen çdo ditë disa gjethe të purqarkut.

Bima e tharë përdoret si vijon: 1-2 lugë gjelle me drogën e grimcuar hidhen në ½ gotë ujë të sapozier. Përmbajtja mbulohet dhe lihet 30 minuta duke e tundur herë pas here. Pihen 3 doza të tilla në ditë.

112. Qepa (Allium Cepa, familja Liliaceae)

Koka e qepës përdoret për shtimin e lëngjeve tretëse të stomakut, si diuretike; për kurimin e plagëve, të sëmundjeve të gojës; kundra kapsllëkut; për pakësimin e shpeshtësisë së urinimit në të sëmurët me prostatë.

Sipas studimit publikuar në http://www.ajcn.org/content/84/5/1027.abstract konsumi i rregullt i perimeve të familjes së qepës (hudhra, qepa e njomë, qepa e thatë etj.) pakëson rrezikun e kancerit.

Përdoren 2-6 kokrra qepë në ditë. Si diuretike përgatitet si vijon: 300 gr qepë shtypen në havan dhe bëhen qull. Shtohet 100 gr. mjaltë, 600 gr verë e bardhë, përzihen me njëra tjetrën që të bëhet një lëng i njëtrajtshëm. Përzierja lihet 24 orë. Lëngu kullohet dhe pihet 2-4 lugë supe në ditë, para buke.

Alkoolatura me qepë përgatitet si vijon: 100 gr qepë të copëtuara zhyten në 100 gr alkool 90o dhe lihen për 10 ditë. Lëngu filtrohet dhe pihen 2-4 lugë kafeje në ditë për shtimin e urinimit dhe në sëmundje të zorrëve.

Për qetësimin e kollës merren luspat e anëve, të kuqe, të thata, të 4-5 qepëve, zihen në xhezve me ujë. Çaji kullohet dhe pihet në darkë. Po ky çaj pihet kundër heqjes së barkut, 1 gotë çaj 3 herë në ditë, para buke, për dy ditë rresht.

Në lëkurën e dëmtuar (qelbëzim, morth, goditje etj.) vihet qepë e grirë imët e përzier me pak kripë. Në variçe vihet si llapa për 8-10 orë.

Në gërvishtje të freskëta ose në shpime vihen direkte mbi plagë cipat e luspave të qepëve, që të mënjanohen infeksionet në mungesë të antibiotikëve.

Në të sëmurët nga prostata, për pakësimin e shpeshtësisë së urinimit përdoret si vijon: 1 qepë ndahet në 4-5 pjesë, futet në 1 enë ku shtohet një gotë me ujë, lihet gjatë natës. Në mëngjez lëngu kullohet dhe pihet esëll. Kjo bëhet 40 ditë rresht.

113.     Qerbashi (Galega officinalis)

 

Pjesa mbitokësore e lulëzuar e tharë e bimes (emra të tjerë: ballbreshka, kukurjaku) shërben si drogë. Rritet në vende barishtore me lagështi. Lulëzon në maj-qershor.

Droga përdoret për shtimin e qumështit në nënat me fëmijë në gji; për uljen e nivelit te sheqerit në gjak, si dhe ka veti diuretike.

5-8 lugë me drogë të grimcuar hidhen në 1 litër ujë të sapozier. Përzierja mbulohet me kapak dhe lihet 30 minuta. Kullohet dhe pihet gjatë ditës. Në trajtimin e diabetit çaji pihet me ndërprerje, 8 ditë po, 8 ditë jo. Droga ruhet deri në 2 vjet.

114. Qingla (Sambucus ebulus, familja Caprifoliaceae)

Frytet dhe rrënjët e thara të qingles kanë veti kurative nëse përdoren sipas udhëzimeve të mjekut. Në doza të larta janë helmuese dhe shkaktojnë të vjella dhe diarre, deri në vdekje.

Përdoren si diuretike, laksative në pezmatimet e rrugëve urinare, të fshikëzës së urinës etj. Frytet përdoren dhe për ngjyrosjen e verave dhe të lëkurave.

Në formën e reçelit frytet e qinglës janë përdorur dhe kundër TBC-së.

1 lugë çaji  me rrënjë të grimcuara hidhet në ½ litër ujë. Lihet 15 minuta. Lëngu pihet gjatë ditës i ndarë në 2-3 doza të barabarta.

115. Rradhiqja (Taraxacum officinale, familja Compositae)

Rrënjët e thara të bimës (emër tjetër: luleshurdha) shërbejnë si drogë. Droga nxit punën e tëmthit; përdoret kundër acarimeve të mëlçisë, gurëve të tëmthit; mahisjeve të kanaleve të tëmthit; në gjendjen e pamjaftueshmërisë të mëlçisë; në fazat e para të cirrozës; si diuretike; në mjekimin e sëmundjeve të lëkurës që vijnë nga rrjedhja e pamjaftueshme e tëmthit.

1 lugë supe me drogë të grimcuar zien në 1-2 gota ujë. Çaji kullohet dhe pihet 1-3 herë në ditë. Droga e ruan veprimin për 18 muaj.

Përdorime të tjera sipas literaturës së huaj: më qumështin e rradhiqes lyejnë puçrrat; e lënë të thahet. Puçrrën e lyejnë sa më shpesh. Puçrra nxihet dhe rrëzohet. Verën e përgatitur nga lulet e rradhiqes e përdorin për probleme me tretjen dhe për probleme me veshkat (http://www.nhm.ac.uk/nature-online/life/plants-fungi/country-cures/exhibit_dandelion.html)

116. Rigoni (Origanum vulgare, familja Labiatae)

Pjesa mbitokësore e rigonit përdoret për të ndihmuar tretjen; për nxjerrjen e gëlbazës; për mjekimin e rrugëve të frymëmarrjes, kollës së bardhe; për nxitjen e urinimit; për nxitjen e djersitjes në rrufë e grip; kundër acarimeve të lëkurës dhe mykozave.

Eshtë i pasur në fenole dhe flavonoide prandaj është antioksidant i mirë.

1 lugë çaji me drogë të copëtuar hidhet në ½ gotë ujë të sapovaluar, mbulohet me kapak dhe  lihet 15 minuta. Përmbajtja kullohet. Pihen 1-3 doza të tilla në ditë. Droga ruan veprimin për 2 vjet.

117. Rozmarina (Rosmarinus officinalis, familja labiatae)

Gjethet e thara të rozmarinës shërbejnë si drogë. Rozmarina përdoret kundër hipertensionit; në formë gargare për mjekimin e aftës; në formë ekstrakti alkoolik për masazhe të kokës kundër rënies së flokëve. Rozmarina në doza të larta është helmuese. Nuk përdoret në shtatëzani.

1 lugë kafeje ose supe me drogë të grimcuar hidhet në një gotë ujë të sapovaluar, mbulohet me kapak dhe përmbajtja lihet 15 minuta. Pihen 3 doza të tilla në ditë.

Përdorime të tjera sipas literaturës: përdoret për përmirësimin e memories (http://en.wikipedia.org/wiki/Rosmarinus_officinalis#Medicine)

118.Rrepa (Raphanus Sativus, familja Cruciferae)

Rrënjët e freskëta të rrepës kanë veti kurative. Rrepa përdoret kundër gurëve të tëmthit; për të lehtësuar tretjen e ushqimeve; për nxitjen e urinimit. Rrepa nuk përdoret në doza të larta kur mëlçia është e dëmtuar. Me tharjen e rrënjës pakësohet veprimi kurativ i saj. Në gurët e tëmthit përdoret në doza të vogla dhe për një kohë të caktuar. Kura me rrepë në sëmundjen e mëlçisë mënjanon shqetësimet alergjike si kruarjen etj.

Merren nga goja 100-200 gr. rrënjë të freskëta, ose pjesë-pjesë 100-150 gr lëng rrënje në ditë. Pas një kure prej 4-5 ditësh bëhet ndërprerje prej 2-3 ditësh. Kura zgjat 15-20 ditë dhe mund të përsëritet çdo 3 muaj.

119. Rrënja (Quercus robur), bunga (Quercus petraea), të familljes Fagaceae                         

Rrënja

Përdoren lëvoret e trungjeve të reja dhe të degëve si dhe gjethet e thara rë këtyre bimëve. Gjethet përmbajnë të njëjtat substanca vepruese si lëvoret por në sasi më të pakta.

Droga e bimës përdoret kundër katarreve të stomakut dhe të zorrëve; kundër heqjes së barkut, hemorragjisë; kundër helmimeve me kripëra metalesh të rënda dhe me alkaloide; në formë gargare në pezmatimet e cipës mukoze të gojës dhe të fytit. Përdoret në djegje, kundër majasëllit, djersitjes së këmbëve; në formë banjash në rastet e ngrirjes së gjymtyrëve.

1 lugë çaji me drogë lëvoreje të grimcuar hidhet në 1 gotë çaji me ujë dhe zihet 15 minuta.Pihen 2-3 doza të tilla në ditë. Nqs. merret në formë pluhuri dozimi është 5 herë në ditë nga një majë thike.

Për banja zihet çaj si më sipër por hidhen 500 gr drogë në 4 litra ujë. Droga-gjethe pihet në formë çaji: zihen 3 gr gjethe të thara të grimcuara në 1 gotë ujë. Pihen 2-3 doza të tilla në ditë. Droga e ruan veprimin për 18 muaj.

120. Rrodhe e madhe (Arctium Lappa, familja Compositae)

Rrënjët e thara të bimës përdoren si drogë.

Droga përdoret në çrregullimet e aparatit tretës; për forcimin e qëndrueshmërisë së organizmit ndaj sëmundjeve; për shtimin e urinimit; kundër diabetit; nga jashtë për mjekimin e sëmundjeve të lëkurës, ekzemës, proçeseve të qelbëzsuara, plagëve që shërohen me vështirësi, në zbokthin e lëkurës e lëkurës së kokës.

1 lugë çaji me drogë të grimcuar hidhet një një gotë çaji me ujë dhe zihet për 10-15 minuta. Lëngu kullohet dhe pihet. Merren 2-3 doza të tilla në ditë. Droga mund të merret dhe në formë pluhuri, 3 herë në ditë nga 2-3 gr. Për përdorim të jashtëm çaji përgatitet si më sipër, por duke përdorur 2 herë më shumë drogë. Droga ruhet për 18 muaj.

Përdorime të tjera sipas literaturës së huaj: Rrodhja e madhe është një nga përbërësit e çajit Essiac, i cili është përdorur kundër kancerit (http://en.wikipedia.org/wiki/Essiac).

121. Rrushqyqja (Sedum acre, familja Crassulaceae)

Pjesa mbitokësore e lulëzuar dhe e tharë e rrushqyqes së athët shërben si drogë. Bima përdoret kundër presionit të lartë të gjakut; nga jashtë përdoret për mjekimin e plagëve të qelbëzuara, puçrrave, hemorroideve dhe infeksioneve nga kërpudhat . Në doza të larta jep dhimbje koke, të vjella.

1 lugë çaji me drogë të grimcuar hidhet në 1 gotë çaji me ujë të sapozier dhe lihet 15 minuta. Kullohet dhe pihet. Merren 2 doza të tilla në ditë. Droga mund të merret dhe në formë pluhuri, 3 herë në ditë nga 1 gr. Për mjekimin e problemeve të lëkurës çaji përgatitet duke përdorur 2-3 herë më shumë drogë. Meqë çaji në doza të larta provokon të vjella mund të përdoret gjatë helmimeve për zbrazjen e stomakut.

122. Salepi (lloje të ndryshme të gjinive Orchis, Gymnadenia, Platanthera të familjes Orchidaceae)

Orchis militaris

Orchis mascula

Zhardhokët e rinj, të qëruar, të tharë dhe të pluhurosur të bimës kanë veti kurative. Zhardhokët nxirren nga toka në fund të lulëzimit, pastrohen nga dheu, zhvishen nga cipa e tapëzuar, përshkohen në pe, zhyten për disa minuta në ujë që valon për të prishur aftësinë mbirëse dhe thahen në ajër duke i varur në penjë.

Salepi përdoret në acarimet e mukozës së zorrëve dhe të stomakut; kundër katarreve dhe heqjes së barkut, veçanërisht tek fëmijët; në katarret e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

1 lugë kafeje me pluhur salepi hidhet në 1 litër ujë të sapovaluar. Pija pihet e ngrohtë, disa herë në ditë, e aromatizuar me erëza. Droga ruhet për 2 vjet.

123. Sanza (Gentiana lutea, familja Gentianaceae)

Rrënja ka veti anti-inflamatore, antiseptike, kolagoge, emenagoge, antiparazitare etj.

Droga përdoret për shtimin e sekretimit të lëngut gastrik; pas sëmundjeve të rënda për forcimin e imunitetit; në anemi; për uljen e temperaturës së lartë. Nuk përdoret nga nënat me fëmijë në gji sepse i jep qumështit shije të hidhur.

10 gr drogë e grimcuar hidhen në 1 litër ujë dhe zihen për 15-20 minuta. Pihen 2-3 filxhanë me çaj në ditë, para buke. Droga mund të përdoret dhe në formë pluhuri 3 herë në ditë nga një majë thike, gjithmonë para buke. Droga ruhet për 2 vjet.

Bimës i është dhënë emri pas mbretit ilir Gentian i cili mendohet se zbuloi se bima kishte veti tonike (http://en.wikipedia.org/wiki/Gentiana_lutea)

124. Selvija (Cupressus sempervirens, familja Cupressaceae)

Boçet e thara të selvisë kanë veti kurative. Ato përdoren kundër urinimit në gjumë (sepse fuqizojnë muskulaturën e fshikësës së urinës); në majasëll, varriçe (sepse ngushtojnë enët e gjakut); kundër diarresë (në sajë të veprimit rrudhës).

10 gr. drogë e copëtuar hidhet në 100 gr alkol 600, në një shishe e cila mbyllet me tapë. Përmbajtja lihet 7 ditë duke e përzier herë pas here. Pas 7 ditëve lëngu kullohet dhe pihet në dozën nga 20 pika 3-4 herë në ditë pas ushqimit kur ndodhin rrjedhje të brendshme gjaku me prejardhje të ndryshme. Fëmijëve që urinojnë në gjumë u jepen 15 pika para gjumit. Për përdorim nga jashtë 50-100 pika tinkturë treten në 1 litër ujë të ngrohtë. Copa garëze njomen me ujin dhe vihen mbi varriçe. Varriçet lahen me çajin që përftohet duke zier 1 grusht me fryte të thata në 1 litër ujë.

Kurse për heqje barku çaji përgatitet duke hedhur 10 gr drogë të copëtuar në 2 gota ujë të sapozier. Përmbajtja mbulohet me kapak dhe përzihet herë pas here. Pas 15 minutash kullohet. Pihet çdo 2 orë nga 1 lugë gjelle.

125. Senameqi (Cassia angustifolia, Cassia obovata, Cassia acutifolia, familja Leguminosae)

Cassia angustifolia

Gjethet e senës përdoren kundër kapsllëkut. Efekti i gjetheve shfaqet 10-12 pas marrjes.

1 lugë gjelle me gjethe hidhet në 1 gotë ujë të sapovaluar. Çaji lihet derisa të vaket, kullohet dhe pihet në darkë.

126. Sinapi (Brassica nigra, famlija Cruciferae)

Farat e sinapit përdoren si drogë. Farat e sinapit të shtypura në ujë, nga jashtë skuqin lëkurën dhe tërheqin gjakun në vendin ku vihen. Prandaj përdoren për shpejtimin e shërimit të sëmundjeve nga të ftohurit, të reumatizmit etj.

Llapaja e sinapit përgatitet si vijon: 50 gr miell sinapi përzihen me ujë gjysëm të vakur (25-35 0C), derisa të formohet një brumë i butë. Brumi mbështillet me leckë dhe vihet mbi vendin ku dhemb, lihet në të 15 minuta. Vendi ku vihet llapaja mund të lyhet paraprakisht me pak vaj.

Për mjekimin e ftohjeve dhe reumatizmit merren 25 gr miell sinapi, futen në një qese lecke, e cila zhytet në 2 litra ujë gjysëm të vakur, banja lokale zgjat ~30 minuta. Farat e sinapit nuk zhyten në ujë të valuar sepse humbasin aftësinë vepruese. Droga e ruan veprimin për 18 muaj.

127. Solidaga shufërartë (Solidago virgaurea, familja Compositae)

Pjesa mbitokësore e lulëzuar dhe e tharë e bimës shërben si drogë. Përdoret si diuretike e lehtë për sëmundje kronike të veshkave; kundër rritjes së prostatës; kundër diarreve; si kompresë përdoret kundër plagëve që shërohen me vështirësi. Me raste përdoret dhe bari i freskët, sidomos gjethet dhe rrënjët e bimës.

1-2 lugë gjelle me drogën e thërrmuar hidhen në një filxhan çaji ujë të sapozier dhe lihet aty 15 minuta.; kullohet, pihet gjatë ditës.

128. Speci djegës (Capsicum annuum, familja Solanaceae)

Përdoret për hapjen e oreksit; për nxitjen e zbrazjes së fshikëzës së tëmthit. Nga jashtë përdoret në reumatizëm.

Në formë pluhuri përdoret 3 herë*0.1 gr në ditë. Tinktura përgatitet duke hedhur 10 gr spec djegës në 100 gr alkool 60 gradësh. Përzihet herë pas here dhe lihet disa ditë. Pihen 20-30 pika 2-3 herë në ditë. Për përdorim nga jashtë tinktura përgatitet duke hedhur 6 speca djegës të freskët në 100 gr alkool 80 gradësh për dy ditë. Pas kësaj lëngu kullohet dhe përdoret për fërkimin e vendit ku ndihet dhimbja reumatizmale.

129. Stërkungulli (Bryonia dioica, familja Cucurbitaceae)

Rrënjët e stërkungullit (ndryshe quajtur bar përdhesi) shërbejnë si drogë. Përdoret rrallë sepse është helmues. Ka veti laksative, diuretike, emetike.  Helmimi prej tij shkakton dhembje të forta në zorrë, temperaturë të lartë, gjakosje të urinës etj. Kundër reumatizmës përdoret në formë vere.

Vera përgatitet kështu: 60 gram drogë e grimcuar hidhen në 1 litër verë, lihen aty 24 orë; pija kullohet dhe hidhet në shishe të mbyllur mirë. Vera pihet në drekë dhe darkë nga një lugë gjelle para buke.

Llapaja përgatitet kështu: 30 gr rrënjë të freskëta shtypen, bëhen qull; mbështillen me napë dhe vihen në vendin e dëmtuar nga shembja ose goditja. Nuk duhet lënë gjatë në lëkurë sepse e pezmaton dhe mund të formojë fllucka.

130. Sumullbari (Humulus lupulus, familja Cannabinaceae)

Frytet boçe, të mbledhura në shtator, të thara të bimës shërbejnë si drogë.

Përdoret si qetësues në pagjumësi të lehta; si diuretik në probleme të prostatës; për të përmirësuar tretjen, si fitoncid.

½ lugë çaji me drogë të thërrmuar hidhen në ½ gotë ujë të sapozier; ena mbulohet me kapak dhe përzierja lihet 15-30 minuta. Lëngu pihet para gjumit. Për përmirësimin e tretjes dhe të urinimit pihen deri në 2-3 doza të tilla në ditë.

Nga shkundja e fryteve boçe bie një pluhur i verdhë që mund të përdoret për të njëjtat qëllime si frytet, në dozën 0.5-1 gr 2-3 herë në ditë. Afati i skadencës së drogës së tharë: deri në 12 muaj.

131. Shaja mjekësore (Borago officinalis, lëpusha)

Majat e lulëzuara dhe të thara të shajës shërbejnë si drogë.

Droga përdoret për nxitjen e urinimit në pezmatimet e rrugëve urinare; si diuretik në reumatizëm dhe sëmundje të zemrës. Nga jashtë përdoret si llapa kundër pezmatimit.

2 lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhen në 1 litër ujë të sapozier ku lihen 45 minuta. Lëngu pihet gjatë ditës me filxhanë çaji. Kura vazhdon 3-4 javë. Llapaja përgatitet si vijon: një grusht gjethe të thata e të copëtuara valohen në pak ujë derisa ky të avullohet. Llapaja mbulohet me napë e vihet në vendin e dhembjes. Afati i skadencës së drogës së thatë: 2 vjet.

132. Shega (Punica granatum, familja Punicaceae)

Lëvorja e rrënjëve të shegës shërben si drogë. Droga përdoret kundër tenias dhe kundër diarresë.

Kundër tenias përgatitet si vijon: 60-80 gr lëvore të thara e të copëtuara hidhen në 3 gota ujë. Lëngu zihet në fillim me zierje të lehtë pastaj me zierje më të fortë derisa të mbeten 2 gota ujë. Çaji pihet esëll në 2-3 doza brenda 1 ore. Ka shije të papëlqyeshme prandaj mund të ëmbëlsohet. Rekomandohet që 2 orë pas pirjes së çajit të pihet purgativ (psh. 30-50 gr vaj recini) që të jashtëqitet paraziti i paralizuar.

133. Shelgu (Salix alba, Salix Purpurea, Salix Fragilis)

Lëvorja e degëve 2-3 vjeçare e shelgut të bardhë, të kuq dhe të thyeshëm shërben si drogë. Përdoret për të ulur temperaturën e lartë; kundër podagrës, reumatizmit kronik; si qetësues dhe në të ftohtit kundër temperaturës dhe dhimbjeve.

Një lugë çaji me drogë të grimcuar hidhet në një gotë ujë dhe zihet 15 minuta. Pihen 1-3 gota të tilla në ditë. Për përdorim nga jashtë: 30-40 gr drogë zihen në ½ litër ujë. Lëngu përdoret për banja të këmbëve që djersiten shumë, për mjekimin e plagëve që shërohen me vështirësi. Në formën e ekstraktit alkoolik përdoret në masazhe kundër rënies së flokëve.

134. Sherbela (Salvia officinalis, familja Laliatae)

Gjethet e thara të sherbelës (ose sfaka) shërbejnë si drogë.

Përdoret kundër djersitjes së tepruar si psh. në sëmundje të mushkërive, klimakter etj. Djersitjen e pakëson 2 orë pas pirjes së çajit dhe veprimi i zgjat disa ditë. Pakëson qumështin e nënave. Përdoret kundër diarresë sidomos kur kjo shoqërohet me dobësim të muskulaturës së zorrëve; në trazira nervore; në të marrët e mendve; në sëmundje të fshikëzës së tëmthit dhe të mëlçisë; si antiseptik në formë gargare në acarimet e zgavrës së gojës dhe në hemorragjitë e mishrave të dhëmbëve. Sherbela tek femrat ka veprim estrogjen prandaj përdoret për lehtësimin e fekondimit (të rënies shtatzanë).

1 lugë gjelle me drogë të tëhrrmuar hidhet në 1 gotë ujë të sapovaluar; mbulohet me kapak dhe lihet 15 minuta. Pihen 2 doza të tilla në ditë. I njëjti çaj mund të përdoret për gargarë. Droga ka sasi të larta tujoni (helm) prandaj nuk përdoret për një kohë të gjatë.

135. Shkumbakja (Saponaria officinalis, familja Caryophylaceae)

Rrënjët e thara të shkumbakes (lulesapunit, barshkumësit) përdoren si drogë. Përdoret si lëngëzuese e gëlbazës, si djersitëse në sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, psh. në pezmatimin e bronkeve, në kollë, në të ftohur. Nga jashtë përdoret në ekzemë dhe çibane.

1 lugë çaji me drogë të grimcuar hidhet në 1 gotë ujë dhe zihet 5-10 minuta. Pihen 3-5 lugë gjelle në ditë. I njëjti lëng mund të përdoret nga jashtë për mjekimin e plagëve, ekzemave, çibanëve etj.

Në doza të larta droga shkakton të vjella. Për të rritur tretshmërinë e saponineve të drogës në të shtohet pak sodë buke. Si droga-rrënjë mund të përdoret dhe bari i bimës por ai ka më pak saponine (lëndët vepruese)

136. Shpatorja (Iris pallida, Iris Florentina, Iris germanica, familja Iridaceae)

Rrizomat pa rrënjë, të lara, të qëruara dhe të thara të shpatores (luleshpatës, zambaku i varreve) shërbejnë si drogë.

Droga përdoret për zbutjen e gëlbazës, lehtësimin e kollitjes, shtimin e rrjedhjes së tëmthit. Ka veti fitoncide. Nga jashtë përdoret si pluhur i imët për pudrosjen e lëkurës.

Një lugë çaji me drogë të thërrmuar hidhen në 1 gotë me ujë të sapozier; lihet 10 minuta dhe pihet menjëherë. Merren 1-2 doza të tilla në ditë.

137. Shtogu (Sambucus nigra, familja Caprifoliaceae)

Lulet dhe frytet e thara të shtogut të zi shërbejnë si drogë. Përdoret për të ndihmuar djersitjen në temperaturë të lartë në sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes; për të qetësuar dhimbjet e aparatit tretës; në fryrjet e zorrëve nga gazrat; si gargarë në acarimet e fytit, bajameve dhe gojës. Frytet përdoren si antinevralgjike në nervin shiatik, në dhembje të kolonës vertebrale.

1-2 lugë çaji me drogë lule hidhen në 1 gotë me ujë të valuar; mbulohen me kapak dhe llihet 15 minuta. Përdoren 1-3 doza të tilla në ditë.

Me frytet çaji përgatitet si vijon: 1-2 lugë çaji me drogë hidhet në 1 gotë ujë; zihet 3-5 minuta. Pihet 1 gotë çaj në ditë, sidomos para gjumit. Fryteve të njoma u përdoret lëngu: 20 gr lëng i fryteve përzihet me 10 gr verë të kuqe. Përzierja pihet brenda ditës. Kura vazhdon 1 ditë deri në 3 javë derisa të qetësohen dhimbjet e nervit shiatik apo të nervit trigemin.

138. Shtrapëri (Capsella bursa pastoris, familja Cruciferae)

Pjesa mbitokësore e lulëzuar, pa rrënjë, e tharë e shtrapërit shërben si drogë. Droga përdoret për ndalimin e rrjedhjes së gjakut veçanërisht nga mitra (kontrakton muskulaturën e uterusit); për rërë në veshka. Në doza të larta është helmuese.

3 lugë çaji me drogë të thërrmuar hidhen në ½ gotë ujë të sapovaluar dhe lihen aty 15 minuta. Pihen 1-2 doza të tilla në ditë, për 10 ditë rresht, para menstruacioneve, për të pakësuar hemorragjinë.

139. Torilis (Torilis nodosa Gaertn., familja Umbelliferae)

Frytet e thara dhe të pluhurosura të bimës torilis shërbejnë si drogë. Përdoret për mjekimin e lytheve (verruceve plane dhe vulgare). Dozat jepen për 5 ditë rresht, në mëngjez esëll, si vijon:

të rriturit:         3 gr pluhur

11-16 vjeç:      2 gr pluhur

8-10 vjeç:        1 gr pluhur

Deri në 7 vjeç: 0.5 gr pluhur

Gjatë kurës nuk hahet 6 orë pas marrjes së dozës. Mund të pihet 1 gotë ujë. Lythet zhduken pa lënë shenjë, rreth 1 muaj pas fillimit të kurës.

140. Tëmblagjaku (Chelidonium majus, familja Papaveraceae)

Pjesa mbitokësore e lulëzuar dhe e tharë e tëmblagjakut (latrapecit të madh, bar jodit) përdoret si drogë.

Bima e freskët në vendin e këputjes nxjerr një lëng qumështor në ngjyrë portokalli i cili pengon zhvillimin e tumoreve dhe ka veti baktericide. Përdoret kundër dhimbjeve të mëlçsë së zezë; për shtimin e rrjedhjes së tëmthit; kundër kollës së mirë; kundër krizave të azmës; si qetësues i ngërçeve të stomakut; si qetësues i dhimbjeve të fshikëzës së tëmthit. Më parë është përdorur kundër kancerit të lëkurës. Është i helmët prandaj përdoret nën mbikëqyrjen e mjekut.

½ lugë kafeje me drogë të grimcuar hidhen në 1 gotë me ujë të sapozier; lihet 15 minuta. Pihen 1-2 lugë gjelle çdo 3 orë. Nëse dhimbjet vazhdojnë doza përsëritet gjatë ditës.

Në formë tinkture: 10 gr drogë e grimcuar dhe 20 gr gjethe angjinareje hidhen në 100 gr alkool 70 gradsh. Përzierja lihet 10 ditë duke e tundur herë pas here. Tinktura pihet në dozën 15-20 pika në pak ujë, 3 herë në ditë.

Si pomadë: 30 gr. drogë e pluhurosur përzihet me nga 15 gr lanolinë dhe vazelinë; i shtohen dhe 10 pika fenol. Plaga lyhet me pomadë, mbështillet me napë dhe mbahet e lidhur për 2-3 ditë. Mjekimi përsëritet derisa plaga të shërohet.

141. Tërfili i livadheve (Trifolium pratense, familja Leguminosaceae)

Lulesat kaptina, pa gjethe, të thara të tërfilit shërbejnë si drogë. Përdoret kundër heqjes së barkut, si dizinfektues në ekzemë; në plagë të qelbëzuara; në shyta.

2 lugë çaji me drogë hidhen në 1 filxhan ujë të sapozier; lihen 15 minuta. Merren 1-2 doza të tilla në ditë.

142. Tërshëra (Avena Sativa, familja Graminaceae)

Frytet e tërshërës përdoren për fuqizim në asteni; për nënat me femijë në gji për të shtuar qumështin; për qetësimine  sistemit nervor; kundër veprimtarisë së rritur të tiroides; për uljen e presionit të gjakut.

2 lugë supe me tërshërë kokërr zihen në 2 gota me ujë derisa lëngu të shterojë përgjysëm.  Lëngu pihet gjatë ditës i ndarë në 3 pjesë të barabarta.

Kundër kapsllëkut dhe majasëllit përdoret në mëngjez esëll 2-3 filxhana me kafe tërshëre të kavardisur, pluhurosur.

143. Thundërmushka (tussilago farfara)

Gjethet dhe lulet e thara të thundërmushkës (Tussilago farfara, familja Compositae) shërbejnë si drogë. Përdoret për lehtësimin e nxjerrjes së gëlbazës; për rrallimin e lehtësimin e krizave të azmës; kundër gripit të rëndë; kundër kollës së vazhdueshme. Gjethet kanë veprim të lehtë diuretik. Llapatë me gjethe të freskëta përdoren kundër dhembjes së kyçeve në reumatizëm, podagër, artrozë etj.

1 lugë supe me gjethe të thërrmuara (5 gr) zihet në një gotë ujë për 5 minuta. Merren 1-2 doza të tilla në ditë. Kur përdoren lule këto përvalohen në ujë të sapozier.

Për përgatitjen e llapave: Gjethet ndahen nga bishti, lahen, vihen mbi kyçin me dy shtresa, me sipërfaqen e sipërme të gjelbër, mbështillen me napë dhe mbulohen me leckë të leshtë. Nga jashtë droga përdoret në puçrra, në plagë që shërohen me vështirësi, në ekzema.

144. Trëndafili i egër (Rosa canina, familja Rosaceae)

Frytet e thara të bimës shërbejnë si drogë.

Përdoret kundër heqjes së barkut (si rrudhës), kundër skorbutit (ka vitaminë C), kundër gripit (për shkak të vitaminës C); në pezmatime të rrugëve urinare.

Në një gotë ujë për 5-10 minuta valohet një lugë gjelle me fryte të copëtuara. Zierja bëhet e ngadalshme. Çaji pihet menjëherë pas përgatitjes. Gjatë ruajtjes së fryteve të thara, pas 1 viti humbet gjysma e vitaminës C që ato kanë. Çaji kullohet në një napë sepse frytet kanë qime.

145. Trumza (Satureja montana, familja Labiatae)

Majat e lulëzuara dhe të thara të trumzës (shtërmenit) shërbejnë si drogë. Përdoret për nxitjen e tretjes; largimin e gazrave nga zorrët; nxjerrjen e gëlbazës; ndalimin e diarresë. Në formë gargare përdoret në acarimet e fytit.

1-3 lugë kafeje me drogë të thërrmuar hidhen në 1 gotë ujë të sapozier, mbulohen me kapak dhe lihen 15 minuta. Merren 3 doza të tilla në ditë.

146. Ulliri (Olea europea, familja Oleaceae)

Si drogë shërbejnë gjethet e thara të ullirit. Droga vepron shpejt në hipertension. Ka dhe veti hipoglicemizuese dhe pakëson ethet.

20 gjethe të thara zihen në 300 ml ujë derisa ky të shterojë në 200 ml. Gjysma e çajit pihet në mëngjez para buke dhe gjysma në darkë para gjumit. Kura mund të vazhdojë 15-25 ditë dhe mund të përsëritet pas një ndërprerjeje disa ditore.

147. Urdhi (Hedera helix, familja Araliaceae)

Gjethet e thara të urdhit kanë veti mjekësore. Droga përdoret kundër dhimbjeve në mialgji parastezike, shiatike, sakroiliake, reumatike; për nxjerrjen e gëlbazës në pezmatimet kronike të rrugëve të frymëmarrjes; për fuqizimin e veprimtarisë së zemrës. Nga jashtë përdoret në dhembje reumatizmale; kundër kallove, si analgjezik në neurite, çibanë, celulite etj. Veprimi është jo veteëm antinevralgjik por edhe mjekues.

½ luge çaji me drogë të thërrmuar hidhen në 1 filxhan çaji me ujë dhe përzierja zihet për 5 minuta. Nga jashtë droga mund të përgatitet si vijon:

-një grusht me drogë të grimcuar hidhet në ½ gotë uthull dhe lihet 2 ditë. Llapaja mbeshtillet me napë dhe vihet mbi kallo.

-disa gjethe të njoma shtypen dhe qulli i formuar vihet mbi napë e cila vihet mbi plagë a ulçera varikoze.

Mund të përdoren dhe frytet si vijon: 100 gr farë të fryteve të shtypura hidhen në 1 litër verë, lihen 7 ditë duke i tundur herë pas here. Lëngu i kulluar pihet në dozën 1 filxhan kafeje në ditë kundër ngacmimeve nervore, dhimbjes së kokës dhe hidropizisë.

148. Vadhja e egër (Sorbus aucuparia, familja Rosaceae)

Frytet e pjekura dhe të thara të vadhes së egër (ose vodhes) shërbejnë si drogë. Frytet kanë veti laksative të lehtë dhe diuretike. Ato përdoren kundër kapsllëkut; kundër heqjes së barkut; për nxitjen e urinimit tek fëmijët; kundër pezmatimeve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes; si drogë polivitaminike. Frytet e freskëta mund të shkaktojnë helmim.

1 lugë gjelle me fryte të copëtuara hidhet në një filxhan çaji me ujë të sapozier; përzierja lihet 30 minuta duke e tundur herë pas here. Lëngu pihet gjatë ditës. Afati i skadencës së drogës së tharë: 1 vit.

149. Valeriana (Valeriana officinalis, familja Valerianaceae)

Rizoma me rrënjë e valerianës (ose haraqinës) shërben si drogë. Përdoret  si qetësuese. Valeriana vepron në të njëjtën mënyrë si rezerpina dhe fenotiazinat, por në një shkallë më të dobët.

1 lugë çaji me drogë të thërrmuar hidhet në ½ gotë ujë të sapozier . Mbulohet me kapak dhe lihet 30 minuta. Merren 2-3 doza të tilla në ditë.

150. Verriu i zi (Alnus glutinoza, familja Betulaceae)

Lëvoret e degëve të reja dhe gjethet e thara të verriut të zi shërbejnë si drogë. Droga përdoret për mjekimin e mukozës së pezmatuar të gojës; për ndalimin e hemorragjisë nga mishrat e dhëmbëve; për shpëlarje vaginale kundër leukoresë. Lëvorja përdoret dhe në djegje.

2 lugë kafeje me drogë të grimcuar hidhen në 1 gotë ujë dhe zihen 5 minuta. Lëngu përdoret për gargarë, për larjen e sipërfaqeve të dëmtuara etj. Droga ruhet për 2 vjet.

151. Vidhi (Ulmus campestris, familja Ulmaceae)

Lëvoret e thara të degëve të reja të vidhit shërbejnë si drogë. Droga përdoret kundër diarresë, katarreve kronike të zorrës së trashë, në dermatite (si rrudhëse); në djegje.

Për heqje barku: ziejmë  1 grusht me drogë në 1 litër ujë. Pihen 2-3 gota në ditë.

Për dermatozat: 130 gr. drogë copëtohen, zhyten në 2 litra ujë dhe zihen derisa uji të përgjysmohet. Nga lëngu pihet 50 gr në mëngjez dhe 50 gr në mbrëmje.  Lëngu i vakët përdoret për të lyer disa herë në ditë vendin e djegur.

151. Vishnja dhe qershija (Cerasus vulgaris, Cerasus avium, familja Rosaceae)

Bishtat e tharë të vishnjes dhe të qershisë shërbejnë si drogë. Droga përdoret si diuretike dhe si rrudhëse.

30 gr. bishta vishnjeje të thata zhyten në 1 litër ujë dhe lihen për 2 orë; pastaj zihen 5-10 minuta. Lëngu pihet brenda 1-2 ditëve.

152. Vjeshtulla e bardhë

Degët me gjethe të thara të vjeshtullës së bardhë (Viscum album, familja Loranthaceae) shërbejnë si drogë. Vjeshtulla përdoret kundër hipertensionit; arterosklerozës; për të pakësuar kolesterolin në gjak; kundër albuminurisë së nefritit dhe glomerulonefritit; kundër albuminurisë së shtatëzanisë etj.

Në formë pluhuri përdoret 1-2 gr drogë e grimcuar 3-4 herë në ditë.

Në formë çaji: 8 gr drogë e grimcuar mirë hidhet në ½ litër ujë të ftohtë dhe lihet 1-2 ditë. Lëngu pihet nga 1 gotë me çaj 3-4 herë në ditë.

153. Zhumbrica (Thymus longicaulis, ose Th. Serpyllum, familja Labiatae)

Bari i lulëzuar dhe i tharë i zhumbricës përdoret si drogë.

Zhumbrica përdoret për nxjerrjen e gëlbazës; për përmirësimin e tretjes; për përmirësimin e çrregullimeve të stomakut e të zorrëve.; për qetësimin e spazmave të muskulaturës së lëmuar (në kollën e bardhë). Në formë komprese dhe banje përdoret në plagët e qelbëzuara.

2 lugë kafeje me drogë të grimcuar hidhen në ½ gotë ujë të valuar; mbulohen me kapak dhe përmbajtja lihet 15 minuta. Merren 1-3 doza të tilla në ditë.

Burimet:

“Bimet mjekesore ne familje”, P. Kokalari, Z. Sima, P. Xinxo

Wikipedia